×
  • Lajme
  • Analiza

    Prokuroria nis hetimet për tenderin e mbyllur të festës së Ferizajt i cili peshon mbi 300 mijë euro

    Insajderi
    16 May 2023 - 14:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore e Ferizajt ka nisur hetimet për tenderin e mbyllur të Agim Aliut që lidhet me aktivitetet e festës së 150 vjetorit të themelimit të qytetit që ai udhëheqë.

    “Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se lidhur me aktivitetin e prokurimit “Aktivitete, 150 vjetori i qytetit të Ferizajt”, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe rasti është në procedurë hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për Gazetën Insajderi.

    Pse kanë nisur hetimet për këtë tender?

    Ferizaj këtë vit feston ditëlindjen e 150-të, pasi si qytet ka filluar të zhvillohet që nga viti 1873.

    Me rastin e kësaj ngjarjeje komuna ka vendosur të organizojë disa aktivitete kulturore përfshi këtu: shtatë koncerte, një monografi, një shfaqje dhe dy ekspozita.

    Për këto ngjarje është zhvilluar një procedurë e mbyllur tenderimi, pa publikim të kontratës, e cila sipas Nenit 35, të Ligjit të Prokurimit kjo procedurë përdoret vetëm në rast të emergjencave ekstreme, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pse është përdor kjo procedurë?

    Kjo kontratë, e cila nuk duket të jetë emergjente, pasi festimet për Ferizajn do të zhvillohen brenda tri viteve të ardhshme, do të peshojë 331 mijë euro.

    Xhemile Murati-Shabani, drejtoresha e Kulturës në Ferizaj, ka treguar për TV Tema pse e kanë përdorur procedurën e tenderit të negociuar.

    “Duke pasur parasysh se jemi në përvjetorin e 150 të themelimit të qytetit të Ferizajt, ne kemi kërkuar nga Zyra e Prokurimit që procedurë të zhvillohet pa njoftim publik sepse duhet të përzgjedhin ata që duhet t’i realizojnë këto aktivitet”.

    “Ne ju kemi adresuar Zyrës së Prokurimit, ajo na ka shkruar për t’i ofruar tre operatorë – ne i kemi ofruar tre operatorë – pastaj disa prej tyre nuk janë përgjigj, dhe kemi ardh deri te zgjedhja e njërit prej operatorëve. Tutje është zhvilluar procedura nga Zyra e Prokurimit”, tha ajo shkruan Gazeta Insajderi.

    Kush e ka fituar tenderin për festimet në Ferizaj?

    Atë e ka fituar operatori ekonomik “Trupa Artistike Regjinonale” e cila përfaqësohet nga Bardhyl Abazi. Ky i fundit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ka vetëm një biznes me emrin GRAMOFON SH.P.K..

    Ndryshe, shpenzimet e kësaj kontratë publike, Komuna e Ferizajt që udhëhiqet nga Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk i kishte paraparë në Projekt Buxhetin e vitit 2023-2025, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, si ka vepruar komuna në këtë rast?

    Xhemile Murati-Shabani, drejtoresha e Kulturës në Ferizaj, ka treguar për TV Tema se paratë i kanë marrë nga kategoria Mallra dhe Shërbime.

    “Unë kam planifikuar që këto mjete të ndahen përmes Kuvendit Komunal, kam bërë kërkesë sepse mjetet kanë qenë të planifikuara nga kategoria Mallra dhe Shërbime, dhe kam planifikuar që këto mjete të ndahen për shoqatat kulturore të cilat veprojnë në Komunën e Ferizajt”.

    “I jam drejtuar për këtë Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, me pas kjo ministri iu ka drejtu Ministrisë së Financave sepse ata duhet të vendosin në këtë pikë. Ministria na ka kthy përgjigje që këto mjete duhet të ndahen përmes Ligjit të Prokurimit, kur bëhet fjalë për subvencionet”, tha ajo, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ky tender është kritikuar nga organizata joqeveritare “Avonet”. Drejtuesi i saj Kenan Gashi ka thënë se kontrata për organizimin e festimeve të themelimit të Ferizajt, nuk e ka plotësuar asnjë kriter.

    Ai ka kërkuar nga komuna që ta anulojë këtë tender, dhe ta zhvillojë aktivitetin tjetër të prokurimit në mënyrë të rregullt, ashtu siç e parasheh Ligji i Prokurimit, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark