Prokuroria nisë hetimet për vdekjen e dy fëmijëve në Prishtinë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria nisë hetimet për vdekjen e dy fëmijëve në Prishtinë

    Insajderi
    24 June 2016 - 14:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me vdekjen tragjike të dy fëmijëve në Prishtinë, të cilët humbën jetën pasi ranë në një gropë të enjten në lagjen Kolovica.

    Lajmin për nisjen e hetimeve e ka konfirmuar Liridona Kozmaqi-Hajdaraj, zëdhënëse në prokurori, e cila i ka thënë Insajderit se “prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dhënë urdhër për obduksionin e fëmijëve dhe janë ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore të domosdoshme me qëllim të zgjidhjes së këtij rasti kritik”.

    Të enjten pasdite, një djalë 11-vjeçar dhe motra e tij 13-vjeçe janë mbytur në një gropë me ujë, për të cilën banorët thonë se kanë kërkuar disa here nga autoritetet që të mbulojnë meqë ka shkaktuar rrezik për banorët.

    Pas tragjedisë, drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçla, ka dhënë dorëheqje, duke thënë se “ndjenë përgjegjësi njerëzore” por jo edhe ligjore.

    Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se tragjedia ka ndodhur në një pronë private ku me vite të tëra kompani janë furnizuar me material ndërtimor.

    Ai ka qëndruar sot tek familja e fëmijëve për të shprehur ngushëllime.

    Rreth dy javë më parë, një fëmijë në Prizren humbi jetën si pasojë e shembjes së një muri të një shtëpie të vjetër, për të cilën po ashtu kishte pasur paralëjmërim më herët për rrezikun që mund të shkaktojë.

    Edhe në Prizren prokuroria ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me rastin, më konkretisht, për të parë nëse ka pasur neglizhencë të autoriteteve lidhur me atë rast./Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark