
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë sot se Zyra e Rregullatorit për Energji, nëse sot nuk e pezullon vendimin për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë në vend.
Bajrami në një postim në Facebook shkruan se janë në rrezik mbi 140 mijë vende pune dhe valë e re inflacionit për secilin produkt.
“E kemi thënë që në fillimi: nuk ka treg të lirë, bizneset nuk janë të përgatitura, as institucionet, andaj bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor”, shkruan ajo.
Sipas saj, Prokuroria nuk duhet të ketë pardon për bordin e ZRRE-së dhe se nuk duhet të lejohet asnjëherë që njerëz që paguhen me para publike me punu për interesa private.
“Le të tregojë ZRRE-ja si institucion mbikëqyrës: Pse bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor? Pse importi i energjisë në qershor është rritur 800% krahasuar me muajin maj? Kush janë përfituesit e kësaj skeme?”, shkruan Bajrami.
“Emrat tashmë dihen: EFT-ja e Vuk Hamoviqit, tregtarët tjerë me nga dy punëtorë, e tash e tutje në rrethin e përfitueseve pritet me hy edhe kompanitë e licensuara së voni nga ZRrE-ja që kanë lidhje të ngushta me politikën. ZRrE po sakrifikon ekonominë, prodhimin vendor dhe 140 mijë vende pune për interesa mafioze. Prokuroria, o sot, o kurrë!”, shkruan deputetja e LDK-së.