Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se s’ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet ku u mbyllën struktura paralele serbe pasi tha se s’ka marrë kërkesë zyrtare.
Sipas Prokurorisë, s’ka pasur kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga institucionet gjegjëse, duke shtuar s’ka pasur kurrfarë prove “për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë”.
“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se me aksion të përbashkët të kësaj ministrie me Policinë, Ministrinë e Industrisë dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal janë mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook. “Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”.
“Nga sot kapitulli i institucioneve paralele ilegale, kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës mbyllen. Në Banjë e të gjithandej në pjesët tjera të Republikës së Kosovës, objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele.