
Prokuroria Speciale ka njoftuar se operacioni për arrestimin e Fatmir Shehollit si të dyshuar për përfshirje në spiunazh është asistuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Prishtinë, 09 Tetor 2025 – Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh””, thuhet në njoftim.
“I dyshuari F.SH., është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Spiunazh”, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës pë Inteligjencë”.
“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale”, vijon njoftimi.
Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordnim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë. /Insajderi.org/