Prokuroria Speciale jep detaje për intervistimin e Besnik Bislimit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria Speciale jep detaje për intervistimin e Besnik Bislimit

    Insajderi
    18 June 2025 - 13:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale lidhur me hetimet për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.

    Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, tha për media se Bislimi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

    “Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit Besnik Bislimi. Por, nuk jemi në gjendje sot të diskutojmë apo japim detaje, meqë çështja është në fazën fillestare të hetimeve”, theksoi ajo.

    Tutje, ajo shtoi se PSRK, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret.

    Në një postim në rrjetet sociale, Bislimi bëri të ditur se ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, por theksoi se pyetjet e bëra nuk përkonin me këtë cilësi.

    “Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari,” shkroi Bislimi.

    Zëvendëskryeministri në detyrë vlerësoi gjithashtu se intervistimi i tij kishte qëllim mediatik dhe jo hetimor, duke aluduar për një ndërhyrje të qëllimshme në kohën kur zhvillohej dialogu në Bruksel.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark