×
  • Lajme
  • Lajme

    “Shpëlarje e parasë, keqpërdorim i detyrës zyrtare”, Prokuroria Speciale deklarohet për bastisjen në Ministrinë e Mjedisit

    Insajderi
    08 October 2024 - 12:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me urdhër të Prokurorisë, drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka nisur aksionin qysh në orët e para të mëngjesit, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Prokuroria Speciale e Kosovës, ka dhënë detaje lidhur me rastin duke thënë se janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale.

    Ky rast lidhet me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare.

    “Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpëlarjes së parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430, paragrafi 2 i KPK-së”, thanë nga Prokuroria Speciale.

    Tutje, Prokuroria ka thënë se pas përfundimit të aksionit do të ketë njoftim.

    Siç mëson Insajderi këto bastisje po kryhen lidhur me ambalazhimin e ujit.

    Në muajin prill të këtij viti, Partia Socialdemokrate kishte mbajtur një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë në kundërshtim të faljes së borxheve kompanive për ambalazhim të ujit.

    Në mënyrë simbolike, anëtarët e PSD-së kishin vendosur një çezme të mbuluar me para që si kuptim ka “pastrimin e parave”.

    “Për nder të Liburn Aliut i cili na e lëshoi çeshmen”, thuhet në mbishkrimin e vendosur në çezme.

    Anëtari i Partia Sociale Demokratike, Zgjim Hyseni tha se kjo çezmë i kushtohet ministrit, Liburn Aliu nën akuzën 15 milionëshe.

    “Kjo që po e shihni këtu nuk është kroi i fshatit tonë, i bukur e ku kanë qasje të gjithë, kjo këtu është çeshmja e milionerëve, kroi çeshmja po rrjedh veç për ta, se në Kosovë atyre që e shesin ujin iu falet. Janë mbi 15 milionë euro që janë fal e procesi nuk është zbardh në tërësi e ato iu kanë fal kompanive milionshe. Këto kompani për nder të Liburn Aliut që jau ka lëshu çeshmen e kanë sjell qysh e don zakoni në shenjë, nderimi për të këtë çeshme që po rrjedh, janë edhe një herë thash 15 milionë euro të falura e procesi nuk është zbardh”, deklaronte Hyseni para gazetarëve, shkruan Insajderi.

    E ditë më parë, ministri Liburn Aliu mohoi të ketë pasur falje të borxheve gjatë qeverisjes së tij.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark