Prokuroria Themelore i ngrit aktakuzë drejtoreshës së Bulliqit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria Themelore i ngrit aktakuzë drejtoreshës së Bulliqit

    Insajderi
    08 February 2024 - 14:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, i ka ngritur aktakuzë Drejtoreshës së Shpejtim Bulliqit, Saranda Stublla-Ukës me arsyen se në “vazhdimësi me dashje nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Komunale në Podujevë”.

    Drejtoreshës për Gjeodezi, Pronë dhe Kadastër, në Komunën e Podujevës, Saranda Stublla-Uka me datë 3 janar 2024 i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    Sipas aktakuzës Saranda Stublla Uka në “vazhdimësi me dashje nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Komunale në Podujevë”.

    Siç ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj për Gazetën Insajderi, drejtoreshës në fjalë i është ngritur aktakuzë për veprën penale “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”.

    Tutje ajo theksoi se aktakuza është dërguar për trajtim të mëtejmë në gjykatën kompetente.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër S.S.-U., për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394 të KPRK-së. Prokurori i Shtetit aktakuzën e ka deleguar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

    Sipas një reagimi në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës, aktakuza e ngritur ndaj drejtoreshës Saranda Stublla Uka është prej vitit 2013, lëndë kjo për të cilën i ishte ngritur edhe ish drejtorit të kësaj drejtorie.

    “Lënda për të cilën i është ngritur aktakuza drejtoreshës Saranda Stublla është prej vitit 2013, për këtë lëndë në vitin 2015 i është ngritur aktakuzë edhe ndaj ish drejtorit të Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë, A.Ll, kurse në vitin 2018 është hedhur poshtë kjo aktakuzë nga Gjykata Themelore Prishtinë.
    Përsëri për të njëjtën lëndë në vitin 2020 është ngritur aktakuzë ndaj ish drejtorit, kurse në vitin 2022 ka pushuar procedura me vendim të gjykatës si çështje e gjykuar”.

    Tutje në reagim thuhet se arsye e këtyre aktakuzave qëndrojnë disa prona në Zonën e Orllanit, ku sipas tyre kjo drejtori po e mbron interesin publik.

    “Pra për këtë çështje gjykata ka dhënë verdiktin e saj duke i hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë dhe palës që i pretendon ato prona në Zonën e Orllanit. Drejtoria e Pronës, Kadastrit dhe Gjeodezisë i posedon vendimet e Gjykatës që i ka dhënë të drejtë ish drejtorit A.Ll dhe është konstatuar se kjo drejtori e ka mbrojtur interesin publiik dhe ligjëshmërinë. Njësoj është vepruar edhe tash, ku drejtoresha Saranda Stublla me vendosshmëri ka mbrojtur pronat komunale në atë pjesë dhe e ka mbrojtur interesin publik”, thuhet në reagim.

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me drejtoreshën Saranda Stublla, por deri në publikimin e këtij teksti e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

    /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark