Prokuroria thotë se do zgjerojë hetimet për “shkaqet e vetëvrasjes së Deharit” – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria thotë se do zgjerojë hetimet për “shkaqet e vetëvrasjes së Deharit”

    Insajderi
    20 November 2016 - 15:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Hetimet lidhur me rastin e Astrit Deharit po i vazhdon Prokuroria e Shtetit. Tash në drejtim të shkaqeve dhe motiveve që çuan 26-vjeçarin në vetëvrasje. Prokurori i rastit ka thënë se po i presin rezultatet e forenzikës derisa pritet t’i intervistojnë për herën e dytë edhe katër persona. Pjesë e hetimeve, sipas tij, janë edhe disa letra me shkrim që i ndjeri kishte lënë në çelin e paraburgimit në Prizren.

    Pas rezultateve të autopsisë së trupit të pa jetë të Astrit Dehari, dhe rezultatet se i njëjti ka kryer vetëvrasje në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, prokuroria tash po merret me shkaqet dhe motivet  që kanë çuar deri te vetëvrasja e Deharit.

    Rezultatet e forenzikës, do të jenë ato të cilat sipas prokurorit Metush Biraj i cili po i  kryeson hetimet e rastiti Dehari do të tregojnë mbi motivet e vetëvrasjes. Për këtë çështje janë marrë edhe disa shkresa të cilat do të hulumtohen nga ana e Prokurorisë.

    Ekipet e hetuesisë shprehen të gatshëm të bashkëpunojnë edhe me ekipet ndërkombëtare nëse iu vie një kërkesë e tillë.

    Prokurori Metush Biraj ka thënë se së shpejti pritet të dalin rezultatet e forenzikës. Ai përmendi edhe disa shkresa të Deharit, si dhe të njëjtat janë duke u hulumtuar nga ana e Prokurorisë, njofton Gazeta Express.

    “Janë edhe disa veprime që jemi duke i përfunduar rreth motiveve të shkaqeve të vetëvrasjes. Po presim përgjigje prej ekspertëve të forenzikës dhe më pastaj të japim një konstatim përfundimtar. E tha edhe Instituti i Mjekësisë ligjore se vdekja është pasojë e asfiksisë”, ka thënë Biraj.

    Sipas tij katër persona do të rimerren në pyetje nga ana e Prokurorisë.

    “Disa shkresa të Deharin janë marrë dhe ato do të hulumtohen. Rezultatet e forenzikës do t’i presim së shpejti. Katër persona jemi duke i intervistu. Nëse pala ndërkombëtare vie ta hetoj rastin Dehari ne do të bashkëpunojmë”, ka thënë Biraj.

    E personat që do të intervistohen janë pjesë e qendrës së paraburgimit të Prizrenit. Por asnjëri nga ta deri më tani nuk ka dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

    Aktin e dorëheqjes së ndonjë pjesëtari të burgut nuk po e sheh të arsyeshëm Sokol Zogaj – Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

    Zogaj është shprehur se kryeprokurori i shtetit Sylë Hoxha, të premten, ka deklaruar se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje. Ai thotë se kryeprokurori nuk e ka akuzuar askënd lidhur me këtë çështje.

    “Kryeprokurori ditën e konferencës ka thënë që rasti i Astrit Deharit është vetëvrasje. Ai nuk e ka akuzuar askënd, e keni parë edhe vet. Kjo punë nuk do koment. Nuk mundet të adresohet askund kjo çështje. Nuk i di planet njëherë se jam në spital i sëmurë”, ka thënë Zogaj për Express, njofton Insajderi.

    E ndërkohë që Ministria e Drejtësisë, tashmë i ka dërguar shkresë policisë “Scotland Yard” të bëjnë një hetim të ndarë lidhur me vdekjen e anëtarit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

    Astrit Dehari kishte ndërruar jetë gjatë transportimit prej paraburgimit për në Spitalin e Prizrenit ku ishte duke u mbajtur si i dyshuar për sulm terrorist ndaj Parlamentit. Rezultatet e autopsisë të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë kanë konstatuar se Dehari kishte vdekur nga lëndimet e vetshkaktuara.

    Kryeprokurori i Prizrenit ka konstatuar se anëtari i Vetëvendosjes bëri vetëvrasje, por, ende nuk janë sqaruar motivet. Askush s’është arrestuar apo akuzuar se ka shtyrë Deharin në vetëvrasje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark