Promari i “Cinco Cavalli” dhe “Savoy” bos droge, si u zbulua organizata që trafikonte mbi 400 milionë euro kokainë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Shqipëri/Rajon

    Promari i “Cinco Cavalli” dhe “Savoy” bos droge, si u zbulua organizata që trafikonte mbi 400 milionë euro kokainë

    Insajderi
    26 July 2025 - 21:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar një aksion të madh kundër një rrjeti ndërkombëtar trafiku kokainë. Në pranga janë vënë katër persona, përfshirë vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosmani dhe biznesmenin Ermir “Cinco” Ndreaj, i njohur si një nga figurat më të famshme të medias belge me lidhje kriminale të dyshuara.

    Nga ky rrjet prej 16 personash janë sekuestruar mbi 6 ton kokainë, me një vlerë tregu prej 411 milionë eurosh, falë hetimit të kryer nga prokurorët Altin Dumani dhe Adnan Xholi, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar “Sky ECC”.

    Ermir Ndreaj është një emër i njohur në Tiranë dhe jashtë saj, i lidhur me lokale dhe restorante luksoze si “Cinco Cavalli” në Durrës dhe “Savoy Garden” në Kompleksin Deliorgji, ku frekuentohen persona të profilit të lartë. Ai e menaxhonte aktivitetin me bashkëshorten, avokaten Elira Ndreaj (Barbullushi). Sipas mediave belge, biznese të tjera në përgjegjësinë e saj – nga Tirana në Antwerpen – rezultojnë të financuara nga paratë e paligjshme të trafikut.

    Të gjitha pasuritë dhe aktivitetet komerciale që kanë lindur nga këto veprimtari kriminale pritet të sekuestruar nga SPAK gjatë fazës së dytë të hetimit, edhe nëse janë transferuar në emrin e pjesëtarëve të familjes.

    Njoftimi i SPAK-ut

    SPAK godet një rrjet ndërkombëtar droge – mbi 6 ton lëndë narkotike të sekuestruara me vlerë tregu prej 411 milionë eurosh, 16 persona nën hetim

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), me vendimin e datës 15.05.2024, ka vendosur ndarjen e akteve nga procedimi penal nr. 184/1 i vitit 2021 dhe regjistrimin e procedimit penal nr. 184/3 i vitit 2024, ndaj 9 (nëntë) shtetasve të dyshuar: P. D., J. M., B. P., A. (alias D.,) Sh., R. Rr., G. (alias K., alias E.,) N., E. S., B. H., dhe J. P., për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” (neni 283/a/1 dhe neni 28/4), “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a), si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” (neni 334) të Kodit Penal.

    Në vijim të hetimeve, gjatë muajit korrik 2025, janë identifikuar dhe përfshirë në procedim edhe 6 (gjashtë) persona të tjerë: A. H., K. H., E.N., E. A., P.D. dhe I. Ll., të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa episode të trafikimit të drogës. Edhe këta shtetas dyshohen për të njëjtat vepra penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

    Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet Evropiane të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit me strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit.

    Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 (shtatë) personave në hetim, kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Gjykata e Posaçme) me vendimin nr. 77, datë 25.07.2025, duke vendosur masën “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

    Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim:

    A. H.

    K. H.

    E.N.

    E. A.

    P. D.

    I. Ll.

    Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë.

    Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit,  Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona.

    Deri në këto momente janë ekzekutuar 5 vendime të Gjykatës së Posaçme, dhe janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat ndër të tjera janë sekuestruar sende dhe materialet e mëposhtme:

    Shuma monetare në total:

    Euro: 43,470 €

    Franga zvicerane: 5,000 CHF

    Automjete:

    3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volkswagen Sharan.

    Mjet lundrues:

    1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar.

    Armë zjarri:

    3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.

    Ora të luksit:

    1 orë Rolex, model 126613LN

    1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68

    Telefona celularë:

    16 aparate celularë, kryesisht të markës iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive.

    Karta bankare dhe dokumente financiare:

    19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim.

    Dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.

    Pajisje elektronike:

    1 dron i markës DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës.

    8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili.

    1 NVR Hikvision.

    2 radio komunikimi Baofeng.

    Dokumentacion identifikimi dhe pronësie:

    Patentë dhe karta identiteti nga autoritete të Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar.

    Leje drejtimi dhe dokumente lundrimi për mjetet lundruese.

    Certifikata pronësie, dokumente noteriale, kontrata shitblerjeje dhe deklarime të pasurisë.

     Etj.

    Episodet të trafikut të drogës

    Bazuar në informacionin hetimor të mbledhur nga Prokuroria e Posaçme, aktiviteti i këtij grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është konkretizuar përmes një sërë episodesh të zhvilluara kryesisht gjatë periudhës 2020–2021 në disa shtete të Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.

    Episode të sekuestrimi të kokainës

    Spanjë – shkurt 2020

    Sekuestruar 400 kg.

    Belgjikë – prill 2020

    Sekuestruar 989.1 kg.

    Kanali (Francë – Mbretëri e Bashkuar) – prill 2020

    Sekuestruar 250 kg në një ngarkesë me destinacion Britaninë e Madhe.

    Holandë – qershor 2020

    Sekuestruar mbi 2000 kg kokainë. Vlera tregu e kësaj sasie llogaritet mbi 151 milionë euro (Burimi: https://www.ad.nl/rotterdam/douane-vindt-2020-kilo-cocaine-met-een-waarde-van-ruim-151-miljoen-euro-tussen-bananen )

    Holandë – tetor 2020

    Sekuestruar 1484.07 kg.

    Episode të sekuestrimit të hashashit

    Rimini, Itali – korrik 2020

    Sekuestruar 275 kg.

    Bari, Itali – mars 2021

    Sekuestruar 400 kg.

    Algeciras, Spanjë –mars-shtator 2020

    Sekuestruar rreth 1442 kg, ku 170 kg dyshohet se ishin për llogari të të hetuarve.

    Episode të tjera

    Francë – shkurt 2020

    Sekuestruar një automjet dhe 72,000 euro cash.

    Modus Operandi

    Ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe.  Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.

    Sipas prokurorëve të çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi:

    “Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare.”

    Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.

    Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.

    Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.

    Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve. Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.

    Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Hawala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve. Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.

    Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre.

    Bashkëpunimi ndërkombëtar

    Në këtë hetim të rëndësishëm, SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine, agjencitë partnere britanike dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE dhe në mënyrë më specifike me shtete si Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe Kroacia.  Një koordinim mjaft cilësor ka qenë edhe ai me agjencitë ligjzbatuese vendase.

    Prokurorët e çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi, nënvizojnë se:

    “Ky hetim i suksesshëm i drejtuar nga SPAK është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, veçanërisht me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë e shteteve anëtare të BE-së, si dhe agjencitë ligjzbatuese partnere në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët ofruan mbështetje përmes një analize të thelluar të të dhënave dhe zbatimit të një koordinimi efektiv ndërkombëtar policor. Vlera e materialit të zbuluar përmes analizës së të dhënave të komunikimit të dekriptuara nga Sky/ECC ka qenë thelbësore për të plotësuar provat e mbledhura gjatë hetimit dhe mbetet ende e vlefshme për arritjen e rezultateve të duhura hetimore. Ky informacion ka qenë kyç në identifikimin e veprave penale të rënda, të të dyshuarve, si dhe për përcaktimin e rolit të tyre në këtë grup të strukturuar kriminal.” 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark