Pas “Kadare i denoncuar”, gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi vjen me librin e dytë me dokumente sekrete mbi shkrimtarin e njohur, “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave” -101 dokumente arkivore “Tepër sekret” të papublikuara, botim i UET-Press.
Libri, i cili ka hapur polemika në shtyp, u promovua të premten në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, ku morën pjesë studiues, gazetarë e figura të jetës publike në vend.
Autori Kaloçi gjatë fjalës së tij tha shkrimtari Kadare vazhdon të krijojë edhe sot debat pro dhe kundër tij.
“Do t’i përgjigjem vetëm një pyetjeje, e cila bëhet prej 25 vitesh. Kur na kanë pyetur se çfarë po bëni për Ismail Kadarenë, pyetja që shtronin ishte: “Po e mbroni apo po e sulmoni? As njëra dhe as tjetra”.
“Dokumenti nuk merr përsipër as të mbrojë njeri dhe as të sulmojë njeri, dokumentet janë botuar të gjitha të plota dhe secili e nxjerr vetë konkluzionin”, tha autori, shkruan Mapo.
Sipas Kaloçit në libër ka dokumente, ku Enver Hoxha e ngre në qiell Ismail Kadarenë duke urdhëruar botimin e tij në 5, 6 gjuhë të botës, ka mbledhje të byrosë politike që i kushtohen vetëm vetëm Kadaresë, si dhe mbledhjet pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë.
“Ka një numër të madh dokumentesh kryesisht të viteve ‘73 që e quajnë armik reaksionar, bashkëpunëtor i Fadil Paçramit dhe nga më të ndryshmet. Pra nuk ka seleksionim dokumentash dhe çdokush do t’i shikojë vetë”, tha Kaloçi.
Libëri nis që nga dokumenti i parë ku sekretarja e komumitetit qëndror Liri Belishova autorizon vajtjen e djaloshit Kadare me studime në institutin Gorki deri në mbledhjet e fundit të politikës ku flitet për arratisjen e tij.