Në kuadër të shënimit të 80 vjetorit të lindjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, në Institutin Albanologjik të Kosovës është përuruar trilogjia kushtuar veprës së tij të autorit Selatin Novosella.
Ministri i arsimit, Arsim Bajrami, dikasteri i të cilit financoi botimin e librave me titujt ” Adem Demaçi në gjykimin e parë – 1958″, “Adem Demaçi në gjykimin e dytë – 1964” dhe “Adem Demaçi në gjykimin e tretë – 1975” , tha se ndjehet krenar që ky vit po i kushtohet një veprimtari të madh si Adem Demaçi.
Bajrami shtoi se Demaçi mbajti gjallë kauzën e Kosovës për liri duke u bërë shembull se si nuk duhet të gjunjëzohet intelektuali.
Ndërsa për librat mbi tri gjykimet e tij ministri i arsimit deklaroi tha se do ta mbajnë gjallë kontributin e veprimtarit të çështjes kombëtare.
Fjalë të mëdha për Demaçin pati edhe ambasadori i Shqiperise në Prishtinë, Qemajl Minxhozi, i cili tha se ai përfaqëson mençurinë mbarëshqiptare.
Në vitin e Demaçit, ambasadori shqiptar paralajmëroi shtrirje të aktiviteteve edhe në Shqipëri, njofton Klan Kosova.
Në këtë ceremoni nuk ishte i pranishëm Adem Demaçi, por bashkëshortja e tij, njofton Klan Kosova.