Gjigandi metalurgjik në Maqedoni “Feni Industries” është duke shkuar drejtë likuidimit të mbikëqyrur nga shteti. Kjo ndërmarrje është në pronësi të kompanisë “Cunico Resources”, e cila është pronare edhe e “Ferronikel”-it në Drenas.
Kjo kompani ka zhytur në borxhe ndërmarrjen maqedonase, duke rrezikuar që të mbesin pa punë mbi 850 veta. Borxhet e minierës së tyre në Maqedoni ndaj kreditorëve kapin vlerën e mbi 60 milionë eurove. Mbi 40 milionë janë borxhe ndaj bankave.
Insajderi ka pyetur menaxhmentin e “Ferronikelit”, në pronësi të “Cunico Resoruces”, për mundësinë e ndikimit të falimentimit në Maqedoni edhe tek ndërmarrja në Kosovë.
Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje nuk ka dhënë ende përgjigje në pyetjet lidhur me gjendjen financiare të “Ferronikel”-it. Po ashtu, menaxhmenti nuk ka dhënë përgjigje se a rrezikojnë të mbesin pa punë mbi 900 punëtorë të “Ferronikel”-it, nëse edhe kompania në Kosovë përballet me probleme të ngjashme si miniera në Maqedoni.
Ndërkaq, mediat në Maqedoni raportojnë se gjiganti metalurgjik “Feni Industries, në pronësi të “Cunico Resoruces”, ka ndërprerë punën pasi është zhytur në borxhe milionëshe. “Feni”, me seli në Kavadar, është një nga kompanitë më të mëdha eksportuese në Maqedoni. Megjithatë, për rreth dy muaj tani fabrika ka ndërprerë prodhimin e saj.
Likuidimin e saj e kanë kërkuar tre kreditorë “Komercijalna Bank”, “Silk Road” dhe “Stopanska Bank”. Borxhi ndaj këtyre bankave është rreth 40 milionë euro. Ndërsa 20 milionë euro tjera ndërmarrja iu ka borxh kreditorëve tjerë. Përveç, me “Cunico Resources” këtyre tri bankave i ka dalë problem edhe me kompaninë bullgare “Enekod”.
Kompania “Cunico Resoruces” ka njoftuar i ka shitur gjigantin maqedonas kompanisë bullgare. Por, transaksioni mes tyre është i dyshimtë. Kompania bullgare dyshohet se nuk kapital për ta blerë gjigantin maqedonas. Dyshohet se pronarët e “Feni”, të cilat janë edhe pronar të “Ferronikelit” në Kosovë janë përpjekur ta mashtrojnë shtetin maqedonas.
Përfaqësuesit e bankave kreditore kanë shprehur dyshimet e tyre rreth kompanisë “Enekod” për të marrë përsipër borxhet e “Feni Industries”. Tri bankat dyshojnë se kompania bullgare i posedon mbi 40 milionë euro për të shlyer borxhet e gjigantit “Feni”.
Përfaqësuesit e tri bankave i kanë propozuar blerësit “Enekod”, që të paraqesë një propozim të ri se si do t’i marrë përsipër borxhet prej 40 milionë eurove. Kompania “Enekod”, ende nuk e ka bërë këtë.
Përfaqësuesit e kompanisë bullgare kanë kërkuar më shumë kohë për ta bërë këtë propozim. “Enekod”, duhet të marrë parasysh edhe borxhin prej 5 milionë eurove që “Feni Industries”, e ka ndaj shtetit maqedonas dhe kjo është arsyeja që kanë kërkuar kohë nga kreditorët bankar, për të shlyer fillimisht këtë obligim.
Por, bankat janë duke kërkuar që sa më shpejtë të përfundojë procedura e likuidimit të “Feni”.
Kanë kërkuar nga gjykata që të marrë këtë vendim. “Gjykata e shkallës së parë të Vele, ka shtyrë vendimin për të përfshirë fabrikën “FENI” një status të veçantë të likuidimit me kërkesë të pronarit të kompanisë, “Enekod””, raportoi javën e kaluar Independent News Balkan News Agency (IBNA).
Sipas IBNA-së, kompania “Enekod” ka kërkuar që kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë e Shkupit e jo nga Gjykata e Shkallës së Parë në Veles.
Sipas kompanisë, “Enekod”, kërkesa e tyre është për arsye ekonomike pasi që kjo gjykatë është më afër ndërmarrjes “Feni”. Rasti ka kaluar në Gjykatën Supreme, e cila do të vendos se në cilën gjykatë do të vendoset për statusin e “FENIT”.