Gjykata Themelore e Prizrenit vendosi masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve për vdekjen e 41 vjeçares e cila humbi jetën në mënyrë tragjike duke rënë nga lifti i objektit në Prizren.
Dy personat përgjegjës të kompanisë “Design Lifts – Doppler” që mirëmbante ashensorin e objekti, Beqir Krasniqi pronari i kompanisë dhe Halil Krasniqi përgjegjësi i mirëmbajtjes u lanë në arrest shtëpiak nga gjykata pavarësisht kërkesës së prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
Ky vendim është i papranueshëm për familjen Veseli. Djali i të ndjerës, Shuajib Veseli kërkon drejtësi për vdekjen e nënës.
“Me ka ardh çudi qysh me i lon në burg shtëpiak. Po ja lo shtetit në dorë”, tha ai.
Ashensori në të cilin humbi jetën Haxhere Veseli kishte probleme të vazhdueshme. Ditën kritike kur e ndjera gjeti vdekjen, banoret kishin raportuar probleme tek mirëmbajtësit.
Djali i saj tregon se si dy orë para ngjarjes tragjike kishin qenë teknikët, por e kanë neglizhuar problemin.
“Çdo herë ka pas problem lifti. Dy orë para se të ndodh rasti, ka pas problem dhëndrri me liftin. E kanë thirrë kompaninë e kanë ardh me ndreq”, thotë ai.
Telashet me lift kanë treguar edhe banorët e tjerë të kësaj banese. Ata tregojnë për Insajderin se vazhdimisht ka pas probleme lifti. Janë blloku qytetarët brenda.
Ndërsa avokati i familjes Veseli, Blend Gjini, ka kundërshtuar vendimin e gjykatës për masën e arrestit shtëpiak ndaj dy të dyshuarve ndaj të cilëve dyshohen se kanë kryer veprën penale “Asgjësimi, dështimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”
“Ne këtë qështje te ndjeshme drejtesia nuk është vendosur ne vendin e saj dhe padrejtësia ketu ka luajtur rolin e vet kjo ne kundërshtim te hapur ne raport me vepren penale peshen e veprës penale pasi në séancen per caktimin të paraburgimit atyre ketu personit juridik firmës Lifts “Doppler” dhe mbikqyrersit të liftit nga kjo kompani atyre iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kundërshtim të hapur me ligjin penal dhe dhe provat te cilat kanë egzistuar dhe arsyerat ligjore që këtyre iu është dashur të ju caktohet masa e paraburgimit”, ka thënë avokati.
Në banesën ku iu vdiq e ëma nuk po mund të jetojnë më. Dy fëmijët që mbetën jetim pas ndarjes nga jetë në mënyrë tragjike të nënës, Haxhere Veseli po shpërngulen në një objekt tjetër.
E ndjera, vdiq tragjikisht duke rënë nga lifti i objektit ku po jetonte në Prizren. Djali i saj, Shuajib Veseli ka rrëfyer ekskluzivisht për Insajderin si ndodhi ngjarja dhe defektet që kishte lifti para rastit.