×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pronari i hotelit ku nisi “Rruga e Re” e Abdixhikut denoncohet për mashtrim nga Lipjani i Imri Ahmetit

    Insajderi
    08 January 2024 - 14:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Lipjanit që drejtohet nga Imri Ahmeti ka denoncuar në OSHP, duke kërkuar edhe të futin në listë të zezë, biznesmenin Abedin Salihu, siç thuhet në shkresë, duke treguar të dhëna të rrejshme në lidhje me një tender. Në hotelin “Brezovica”, pronë e Salihut, LDK-ja pati nisur projektin të tyre të titulluar “Rruga e Re”, raporton Insajderi

    Gazeta Insajderi

    ”Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtoje dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një (1) vjeçare”, thuhet në një kërkesë që Komuna e Lipjanit e drejtuar nga Imri Ahmeti që po ashtu është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në këtë komunë kundër kompanisë “Dino shpk”, pronë e multimilionerit Abedin Salihu.

    Këtë kërkesë Komuna e Lipjanit e ka bërë në OShP, në lidhje me një tender që firma e Salihut, bashkë me një tjetër kompani, kontratën e patën nënshkruar në tetor të vitit 2020 e që puna ishte që të  asfaltohej rrugës tranzit nëpër fshatin Konjuh deri te rruga regjionale Lipjan-Janjevë.

    LDK-ja vitin e kaluar bash në hotelin “Brezovica”, pronë e Abedin Salihut kishte mbajtur një takim të rëndësishëm- atë për nisjen e projektit të tyre të titulluar “Rruga e Re”, siç pati raportuar Gazeta Insajderi.

    Salihu është njëri nga të dyshuarit për rastin “Brezovica”, teksa për biznesmenin Gazeta Insajderi ka raportuar më herët se u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi që gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në Lipjan, nuk ka arritur të arrestohet. I njëjti më pas në maj të vitit 2022 iu kishte dorëzuar forcave policore në Kosovë.

    Ai e ka arsyetuar arratinë e tij duke thënë se ka trajtuar jashtë vendit problemet shëndetësore nga COVID-19., raport Insajderi.

    Cilat janë akuzat që Komuna ia bën firmës së Abedin Salihu?

    Organi Shqyrtues i Prokurimit OShP) në janarin e vitit 2023 nga Komuna e Lipjani pati pranuar  kërkesën për diskualifikim të grupit të operatorëve ekonomik “N.T.SH.”Dino” sh.p.k dhe “&”Termomontimi sh.p.k”, dhe kërkoi që të përfshiheshin në listën e zezë.

    Komuna e Lipjanit në kërkesën e saj  për të futur firmat në listën e zezë  e ka bërë me arsyetimin se këto kompani, e me të cilat pati nënshkruar kontratë 10.10.2020 për tenderin “Asfaltimi i rrugës tranzit lagja e Konjuhit deri te rruga regjionale Lipjan-Janjeve”, firma e njëjtë nuk e ka realizuar kontratën.

    “…edhe pas kërkesave nga ana e autoritetit kontraktues për përmbushje të kontratës OE nuk është përgjigjur kërkesës me arsyetimin që nuk mund ta bëjë furnizimin duke treguar të dhëna të rrejshme në autoritetin kontraktues ku përmes deklaratës nën betim është zotuar që do t’i përmbush kërkesat e përshtatshmërisë së dosjes së tenderit”, thuhet në kërkesën e Komunës që drejtohet nga Kryetari Imri Ahmeti.

    Komuna në kërkesën e saj për diskualifikim të “Dino sh.p.k” ka sqaruar se edhe pas shumë shkresave dhe kërkesave me ta, kjo firmë nuk e ka përmbush kontratën duke mos i respektuar rregullat në fuqi.

    “Duke u bazuar në atë që u tha me lart dhe kompetencave tuaja të parapara me Ligj nenin 99 të LPP-së kërkojmë nga ju ta shqyrtoni kërkesën tonë dhe të merrni vendim për futjen në listën e zezë të GOE “N.T.SH Dino sh.p.k”Termomontimi sh.p.k.,për një periudhë prej një viti”, thuhet në kërkesën e Komunës së Lipjanit.

    Megjithëse ky institucion këmbëngulte që firma e multimilionerit Abedin Salihu të futej në listën e zezë, OSHP-ja vendosi që ta refuzonte këtë kërkesë.

    Covid 19, arsyetimi për arrati e ikje nga përgjegjësia në kontratë

    Biznesmeni Abedin Salihu, që është i dyshuar në rastin “Brezovica”, për një kohë qëndroi në arrati nga organet e drejtësisë.

    Ai e pati arsyetuar arratinë e tij duke thënë se ka trajtuar jashtë vendit problemet shëndetësore nga Covid 19. 

    Edhe për tenderin, për të cilin Komuna e Lipjanit kërkoi që firma “Dino Shpk” të futje në listë të zezë, firma e Salihut ka përdorë si arsye përsëri Covid 19.

    Me datë 01.02.2023 “Dino Shpk” nëpërmjet emalit kishte kthyer një përgjigje në OSHP.

    “..ne nuk kemi paraqitur asnjë fakt te rreme sepse ne kemi një kontrate te nënshkruar me AK- Komuna e Lipjanit me datën 14.10.2020 me kohëzgjatje 250 ditë pune dhe ne këtë periudhe gjatë fazës se punimeve jemi përballuar me fazën e pandemisë dhe ngritjen e çmimeve, ne kontakt te njëpasnjëshëm me menaxherin e kontratës nga e komuna e Lipjanit kemi kërkuar rritjen e çmimeve ne baze te inflacionit dhe përgjigja e tyre ka qene te shikojmë deri ne përfundimin e vendimit te qeverise për rritjen e çmimeve, dhe duke e pasur parasysh vonesën e rritjes se çmimeve kemi ardhur deri te skadimi i kontratës, ne vazhdimisht kemi kërkuar përgjigjen nga AK duke e pasur parasysh se skadimi i kontratës po afrohet gjatë vitit 2021 kemi qene te interesuar për kryerjen e punimeve sipas kontratës”, thuhet në arsyetimin e “Dino shpk”, të cilin si të mirëqenë e ka pranuar OShP-ja.

    Data e nënshkrimit të kontratës ka qenë 14.10.2020. Kohëzgjatja 250 dite pune, data e skadimit 29.09.2021.

    “Pas gati 2 viteve AK komuna e Lipjanit kërkon futjen në listën e zezë ne si OE te cilit nuk kemi as kontrate valide me këtë AK”, thuhet në përgjigjen e “Dino Shpk”.

    Duke qenë të përgjegjshëm për kryerjen e punimeve sipas kontratës “edhe pse nuk kemi pasur kontratë valide, kemi vazhduar sigurimin e ekzekutimit ne mënyrë që të ju përgjigjemi kërkesave të AK-së, me shpresë që do të këtë edhe rritje të çmimeve, ndërsa AK- komuna e Lipjanit nuk i merr parasysh fare vështirësitë e rritjes se çmimeve”, thuhet tutje në arsyetimin e kompanisë së biznesmenit Abedin Salihu.

    “Dino shpk” tutje ka treguar edhe për shkëputjën e marrëveshjes që ka pasur me firmën tjetër me të cilën e fitoi bashkë këtë tender.

    “Ne këtë projekt kemi qenë si Grup i Operatoreve ekonomik NTSH DINO SHPK& Termomontimi SHPK, mirëpo me datën 01.12.2020 marrëveshja e konzerciumit është shkëputur. Arsyeja e shkëputjes është se OE Termomontimi SHPK fushëveprimin e ka ne ndërtimin dhe renovimin e objekteve të larta dhe nuk ka të bëjë me këtë projekt mirëpo pjesëmarrja e OE “Termomontimi” SHPK ka qenë si përkrahëse ne dokumentacionin ofertues”, thuhet në përgjigje, raporton Insajderi.

    Gazeta Insajderi ka raportuar për një lloj “besatimi” ndërmjet Abedin Salihut, i cili ka në pronësi edhe kompaninë “Dino”, si dhe pushtetit lokal në Lipjan, që udhëhiqet nga Imri Ahmeti i LDK-së.

    Kompania e tij ‘’Dino Sh.P.K’, kishte fituar pesë tenderë nga Komuna e Lipjanit në vlerë prej 2 milionë e 912 mijë e 308 euro.

    Salihu përveç bizneseve, ka bërë investime edhe në sport. Ai është president dhe donator i klubit të futbollit “FC Ulpiana”. Gazeta Insajderi nëpërmjet një dokumenti të lëshuar nga ky klub kishte arritur ta marrë vesh se i dyshuari për ryshfet po qëndronte në arrati pasi u shpall i kërkuar nga policia për rastin “Brezovica”.

    “Ju njoftojmë se KF Ulpiana 1926, se Kryetari i KF Ulpiana 1926, është Abedin Salihu, i cili edhe pse nuk gjendet në Kosovë për arsye të tija, ai është ende Kryetar i klubit…”, shkruhej ndër të tjera në dokumentin në fjalë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark