
Mustafa Leka së bashku me Afrim Thaqin janë pronarë të kazinos “Royal Kazino-Poker”. Këtë objekt ilegal dyshja e kanë shfrytëzuar nga muaji shkurt deri më 18 shtator të 2020-ës.
Këto të dhëna janë përmendur në dosjen e siguruar nga InDoks, prodhim i Gazetës Insajderi.
InDoks ka siguruar deklaratën e plotë të Mustafë Lekës të dhënë para Prokurorisë Themelore në Gjilan. Ai shpjegon gjithçka. Si nisi të merrej me këtë veprimtari, si funksiononte, stafi, çmimet e lojërave të fatit dhe bashkëpunëtorët e tij.
Mustafë Leka me vendbanim në fshatin Muçivërc, Komuna e Kamenicës ka konfirmuar vet se është pronar i kësaj kazino, teksa ka shtuar se drejt kësaj veprimtarie e ka shtyrë papunësia.
“….në deklaratën e tij të dhënë në Prokurorinë Themelore në Gjilan ndër të tjera ka deklaruar se , pasi që kam qenë pa punë dhe kam parë që në atë zonë ka objekte të cilat merrem me organizimin e lojërave të bixhozit dhe duke menduar që do të kem përfitim material në marrëveshje me Afrim Thaqin, i cili gjithashtu është bashkëfshatar i imi, jemi dakorduar që edhe ne të fillojmë të bëjmë organizimin e lojërave të fatit në atë zonë”.
Leka shton se ai objekt ka qenë nën pronësi të vëllai të bashkëpunëtorit të tij, Afrim Thaqit.
“Kështu që, vëllau i Afrim Thaqit, fillimisht e ka blerë një objekt, i cili është me ndërtim të vrazhdë dhe aty unë dhe Afrimi, jemi dakorduar që ne të jemi bashkëpronarë, unë të njëjtit t’i bëjë pagesë mujore në emër të qerasë në shumë prej 300 euro dhe aty ti vendosë tri aparate për lojëra të fatit”, sqaron ai.
Ai deklaron se nga kush i kanë blerë aparatat për lojërat e fatit teksa tregon edhe vlerën e tyre.
“Këto aparate i kam blerë përmes Fitim Lekës, i cili ka qenë serviser i aparateve të lojërave të fatit të asaj zone, i njëjti mi ka siguruar këto aparate nga një person të cilin unë nuk e njoh dhe këto tre aparate secilin veç e veç e kamë blerë në shumën prej 1.300 euro të njëjtat kanë qenë të llojit njëra Apex, Kajot dhe Merkur”.
“…këtë veprimtari e kam filluar t’a zhvilloj prej muajit shkurt të vitit 2020, orari i punës ka qenë prej orës 21:00 deri sa ka pasur lojtarë 06:00-07:00, aty kanë qenë 6 copë aparate, 3 kanë qenë të mijat dhe 3 kanë qenë të Afrimit, ky objekt emërtim nuk ka pasur duke shtuar se aty ka punuar një femër të cilën e kanë quajtur Ana dhe ka qenë nga Shqipëria, e njëjta e ka pasur për detyrë për t’i shërbyer klientët, çdo ditë në mëngjes pas përfundimit të orarit barazimin e kam bërë me Afrimin”.
Paraprakisht objekti është shfrytëzuar nga një pronar tjetër, Artizan Thaqi.
“Para se ta marrim neve në shfrytëzim, ai objekt është shfrytëzuar, për organizimin e lojërave të fatit nga Artizan Thaqi, i cili më pas e ka ndërtuar një objekt i cili ka qenë skaj rrugës kryesore, objekti i parë në anën e djathtë”, ka thënë Mustafë Leka para hetuesëve.
Gjithashtu i njëjti para Prokurorisë ka deklaruar se “aparatet e lojërave të fatit janë transportuar me kombi dhe kanë ardhur rrugës së rregullt dhe se ka pasur raste kur jam ndaluar nga ana e zyrtarëve policorë dhe të njëjtit kanë pasur njohuri se me çka merrem”.
Në deklaratën e tij Mustafë Leka përmend edhe emra të tjerë, të personave që kanë organizuar lojëra të fatit.
“I njëjti deklaroi se, se Ymerin nuk e njoh por, vetëm kam njohuri se i njëjti e ka pasur një objekt të kazinos në këtë zonë, Nazim dhe Ruzhdi Rrudhanin kam dëgjuar që kanë pasur një objekt, Xhelal Kryeziun dhe Abeja i Ferizajit kanë pasur gjithashtu objekte të kazinos mirëpo kohët e fundit objekti i Abejës nuk ka qenë funksional, Naser dhe Ferid Leci janë vëllezër, ku Naseri ka pasur një kazino kurse Ferid Lecin e njoh si zyrtarë policorë”.
Për aksionin e zhvilluar mëngjesin e sotëm ka folur edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
“Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe me autoritet komunale të Dardanës sot u godit rrjeti i kazinove ilegale në zonën e fshatit Karaçevë”.
“Pas konfiskimit të aparatave për lojërat e bixhozit, u rrënuan objektet e ndërtuara ilegale si dhe arrestimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal po vazhdojnë edhe në këto momente”, ka thënë tutje Sveçla, shkruan Gazeta Insajderi.