×
  • Lajme
  • Insajderi

    Propozimi franko-gjerman pritet diskutohet në takimin e radhës Kurti-Vuçiq

    Insajderi
    17 October 2022 - 09:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Emërimi i Emmanuel Bonnes dhe Jens Plötnerit, këshilltarë të Emmanuel Macronit dhe Olaf Scholzit, si të dërguar të Francës dhe Gjermanisë për dialogun Kosovë-Serbi, duket se i ka dhënë një shtytje zgjidhjes së çështjes mes dy vendeve.

    Tani në tavolinën e diskutimeve në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me shumë gjasë do të jetë edhe ky dokument për shqyrtim.

    Komentatori serb i politikës së jashtme Boshko Jakshiq thotë për mediumin serb “Nova” se propozimi i lartpërmendur duhet të shqyrtohet seriozisht, por shton se pyetja është se sa vërtetë populli është i informuar për përmbajtjen e atij dokumenti.

    Madje ai hedh dyshime edhe mbi interpretimin e Vuçiqit rreth përmbajtjes së këtij dokumenti.

    “Burime shumë të besueshme thonë se nuk ka asgjë nga ajo që është prezantuar, që është një përshpejtim i qartë (për anëtarësim në BE) dhe ndihmë e bollshme financiare. As financat nuk përmenden, as afate, pra bëhet fjalë për një interpretim të lirë të Vuçiqit, që padyshim që i shkon në një farë mënyre, por në atë letër nuk ka një gjë të tillë”, thotë Jakshiqi.

    Ai beson se propozimi i Francës dhe Gjermanisë do të jetë në tryezë në takimin Vuçiq-Kurti.

    “Natyrisht që do të bisedojnë, siç u diskutua në takimin trepalësh Vuçiq, Scholz dhe Macron”, thotë Jakshiq, i cili beson se do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje mes dy palëve.

    Ndërkaq, sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, një takim mes dy Kurtit e Vuçiqit mund të mbahet deri në fund të tetorit.

    Sipas propozimit të Gjermanisë dhe Francës, me nënshkrimin e asaj draft-marrëveshjeje, gjithnjë sipas interpretimeve të atij dokumenti nga mediat, Serbia do të merrte përsipër që të mos e kundërshtojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, pra as në Kombet e Bashkuara, transmeton Klankosova.tv.

    Nga ana tjetër, sipas Vuçiqit, Serbia do të hynte shpejt në BE me një ndihmë të madhe financiare. Ekzistenca e këtij dokumenti është konfirmuar, përveç nga Kurti e Vuçiqi, edhe nga qeveria gjermane.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark