Forca e Sigurisë së Kosovës mund të shndërrohet në ushtri nëpërmjet Ligjit të ri i cili pritet që së shpejti të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Aty parashihet që Misioni i FSK-së të jetë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës.
Po, ashtu, FSK nuk do të ndërrojë emrin dhe do të merret edhe me mbrojtjen e qytetarëve, mbrojtjen e pronës dhe interesave të Shtetit. Do të armatoset në përputhje me nevojat e FSK-së. Projektligji është hartuar nga Presidenca në bashkëpunim me Ministrinë e FSK-së.
Përkundër komplikimeve ndërkombëtare, ndryshimin e misionit të FSK-së, pritet ta përkrahin vendet kryesore të NATO-s.
Sidoqoftë, me Projektligjin e ri, nuk parashihet t’i ndërrohet emri FSK-së, por vetëm misioni, shkruan Gazeta Express, e cila ka siguruar Projektkligjin e ri për FSK-në.
Nga një organizatë që kishte për qëllim reagimin në raste të katastrofave natyrore, FSK do të marrë rol në mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës.
Sipas projektligjit, rekrutimi në FSK do të jetë vullnetar.
“FSK do të jetë e pajisur me armatim adekuat, në përputhje me nevojat e FSK’së, për kryerjen e misionit dhe detyrave të saj”, thuhet në Nenin 6 të Projektligjit të FSK-së.
Ky projektligj është hartuar nga Presidenca në bashkëpunim me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.