Banorët e rrugës “Gëzim Sahiti” në Ferizaj kanë nisur protestën e tyre të paralajmëruar ditë më parë.
Protesta po realizohet si shkak pakënaqësie të lejimit të ndërtimit 11 katësh të biznesmenit Fatmir Graica i cili po bëhet në mes të shtëpive në pjesën e njohur si Lagjja e Re. Gazeta Insajderi ju sjell pamjet nga protestat.
Nga pamjet shihet banorët janë duke protestuar para Komunës së Ferizajt, ndërsa para objektit janë vendosur edhe tenda e pankarta me mbishkrimin; Komuna e Ferizajt: Këtu ndërtohen shtëpitë, por ku është ndërtimi i së drejtës?
Banorët pretendojnë se i gjithë ndërtimi po bëhet kundërligjshëm.
Për këtë çështje, ata së bashku me organizatën jo-qeveriatare AVONET kanë njoftuar qysh mbrëmë se që nga sot do të nisin të protestojnë para komunës së Agim Aliut, dhe para Prokurorisë së Ferizajt.
“Gjatë performancës së planifikuar nga aktivistat dhe banorët e lagjes Gëzim Sahiti, do të vendosen tenda para Komunës së Ferizajt në ora 11 dhe tek Prokuroria Themelore në Ferizaj në ora 11.30. Ky veprim synon të simbolizojë kundërshtimin dhe zhgënjimin e qytetarëve ndaj sjelljes së paligjshme të këtyre institucioneve në lidhje me lejet e ndërtimit dhe mbrojtjen e ligjshmërisë”, huhet në njoftimin e përbashkët të AVONET-it me banorët e lagjes “Gëzim Sahiti”, shkruan Gazeta Insajderi.