16 persona janë vënë nën hetim pas protestës të zhvilluar dje në Tiranë nga opozita. Një është arrestuar, 6 janë proceduar në gjendje të lirë, dhe 9 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia e Tiranës njofton se nën hetim është vënë dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ i PD-së Ervin Minarolli. Në gjendje të lirë është proceduar edhe një 31-vjeçar dhe dy të mitur, ndërsa po vijon puna për të arrestuar 9 të tjerë.
Si pasojë e sulmeve me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov janë dëmtuar 10 punonjës policie, nga të cilët 9, pasi morën ndihmë mjekësore u larguan nga spitali, ndërsa 1 efektiv po trajtohet në repartin e djegieve plastikës, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dhe 2 të tjerë (babë e bijë), të cilët dyshohet se janë lënduar nga molotovët.