×
  • Lajme
  • Insajderi

    Protestat e ferizajasve kundër ndërtimit të multimilonerit mik i Agim Aliut, AVONET thotë se qytetarët u gjobiten kundërligjshem

    Insajderi
    20 June 2023 - 09:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ka kohë që banorët e rrugës “Gzim Sahiti” në Ferizaj, aty ku po e bënë një ndërtesë shumë-katshe biznesmeni Fatmir Grainca, kanë shprehur shqetësimet e tyre. Ka pasur edhe protesta e bllokim rrugës.

    Pavarësisht kësaj, puna ka vazhduar madje edhe në asistencë të policië, për çka të njëjtit u denoncuan edhe në IPK.

    Rrjeti i OJQ-ve, AVONET ka reaguar pas gjobave të datës 16 qershor për lundërvajtje të shqiptuara ndaj protestuesve në lagjen Gëzim Sahiti nga policia.

    Sipas AVONET, ato vendime janë të padrejta dhe të bazuara në ligj të pavlefshëm.

    “Këto vendime (gjoba), kanë ardhur si rezultat i anulimit të vendimeve (gjobave) paraprake nga Komisioni i Ankesave i Policisë së Kosovës të shqiptuara në ditën e protestës paqësore”, thuhet në komunikatèn e AVONET.

    Në komunikatë mes tjerash thuhet se këto gjoba kanë shkelur parimet themelore të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

    Me këtë veprim, zyrtarët polucor kanë shkelur edhe dispozitat e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj.

    “Me gjobat për kundërvajtje që janë dhënë, është shkelur gjithashtu Neni 24 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili garanton “barazinë para ligjit”. Të gjitha këto veprime të papërgjegjshme dhe jo profesionale po cenojnë sigurinë juridike në Republikën e Kosovës dhe po ulin besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e sigurisë në vend”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Prokuroria nis hetimet për ndërtimin 11 katësh të Fatmir Graincës

    Prokuroria Themelore e Ferizajt, siç ka raportuar Insajderi ditë më parë tashmë ka nisur hetimet për ndërtimin 11 katësh të Fatmir Graincës, biznesmenit milioner nga Ferizaj, dhe pronarit të HIT Imerial.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, lidhur me këtë rast është në fazën e grumbullimit të provave dhe informacioneve, për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për Gazetën Insajderi.

    Ndërtimi 11 katësh i biznesmenit Grainca i detyron banorët e Lagjes së Re të nisin protestën në tenda

    11 katshja e milionerit Fatmir Grainca i kishte detyruar banorët e Lagjes së Re të nisin protestën në tenda madje.

     “AVONET, në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimet e lejeve ndërtimore në Komunën e Ferizajt, e veçanërisht vendimin e lejes ndërtimore të datës 03.05.2023 në emrin e “HIT PETROLL” shpk, që sipas AVONET, ky vendim për leje ndërtimore me numër të vrojtimit të lejes 04-351/01-0022975/23 për parcelën kadastrale me numër 3342-1 ZK Ferizaj, që ndodhet në rrugën “Gëzim Sahiti” në Ferizaj me pronar: “HIT – Petroll” shpk Ferizaj me emrin e projektit: “Objekt i banimit me afarizëm me etazhitet B+P+8+PH, që sipas AVONET është në kundërshtim me Ligjin Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, sepse janë ka dhënë kushtet ndërtimore me PZHK dhe me Ligjin e ndërtimit 04/L-110 neni 18, UA 06/2017″, thuhej në reagimin e AVONET, shkruan Gazeta Insajderi.

    Komuna e drejtuar nga Agim Aliu dyshohet se e favorizoi Graincën, e lejon ta ndërtojë 11 katëshen, për të cilën tashmë ka denoncime publike se është e jashtëligjshme.

    Ndërtimi i jashtëligjshëm i milionerit Fatmir Grainca i detyron banorët e Lagjes së Re të nisin protestën në tenda

    Për nisjen e këtij ndërtimi një interpretim e kishte dhënë edhe Ministria e Mjedisit “ku është theksuar se “Kushtet Ndërtimore nuk mund të lëshohen duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, sepse sipas nenit 15, paragrafi 1, të Ligjit Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, Plani Zhvillimor Komunal është dokument orientues strategjik, i cili nuk përcakton rregulla, kushte dhe detaje tjera të nevojshme për ndërtim/zhvillim”.

    Komunikata e plotë:

    Rrjetit i OJQ-ve AVONET, shpreh shqetësimin e thellë se vendimet (gjobat) e datës 16.06.2023 për kundërvajtje të shqiptuara nga zyrtarët policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, kundër protestuesve në lagjen Gëzim Sahiti janë të padrejta dhe të bazuar në një ligj të pavlefshëm.
    Këto vendime (gjoba), kanë ardhur si rezultat i anulimit të vendimeve (gjobave) paraprake nga Komisioni i Ankesave i Policisë së Kosovës të shqiptuara në ditën e protestës paqësore.
    Këto tendenca që me çdo kusht të denohen këta protestues, pa marrë parasysh bazën ligjore janë një faktor shumë shqetësues që duhet të brengos çdo qytetarë të Republikës së Kosovës, e duhet të alarmoj çdo instutucion ligjzbatues, sipas detyrës zyrtare në vendin tonë.

    Vendimet (gjobat) e datës 16.06.2023 janë absolutisht nule (të pavlefshme), kjo për faktin se pas shfuqizimit të Ligjit nr. 03/L-118 Për Tubimet Publike më datë 27.02.2023, çdo pretendim ose vendim i bazuar në këtë ligj nuk ka asnjë vlefshmëri ligjore.

    Këto vendime (gjoba) për kundërvajtje kanë shkelur parimet themelore të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Parimi i ligjshmërisë është shkelur, pasi askush nuk mund të dënohet për shkelje të një ligji që nuk ekziston më. Po ashtu, parimi i barazisë para ligjit është shkelur, duke i trajtuar protestuesit ndryshe dhe duke i penalizuar dhe sanksionuar për shkelje të një ligji të pavlefshëm.

    Gjobat e caktuar për kundërvajtje kanë shkelur dispozitat e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, si dhe të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj. Këto instrumente ndërkombëtare garantojnë të drejta themelore, duke përfshirë të drejtën për një proces të ndershëm dhe parimin e “asnjë dënim pa ligj”. Me gjobat për kundërvajtje që janë dhënë, është shkelur gjithashtu Neni 24 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili garanton “barazinë para ligjit”. Të gjitha këto veprime të papërgjegjshme dhe jo profesionale po cenojnë sigurinë juridike në Republikën e Kosovës dhe po ulin besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e sigurisë në vend.

    Ne kërkojmë respektimin e të drejtave të njeriut dhe ligjshmërinë në sistemin tonë ligjor. Autoritetet duhet të marrin masa urgjente për të korrigjuar këto shkelje të drejtësisë dhe për të rikthyer besimin në sistemin ligjor të Republikës së Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark