Duke pasur parasysh situatën e krijuar në Maqedoni, një kolektiv përfaqësues i Komunitetit shqiptar të Belgjikës mori vendimin që të organizohet një protestë të mërkurën më 10 maj, ora 15:00 përballë Komisionit Evropian (Rond-point Schuman, 1000 Bruksel).
Përmes kësaj proteste, Komuniteti shqiptar i Belgjikës teksa përshëndetë zgjedhjen e Kryetarit te ri të Kuvendit ka disa kërkesa.
“Dënon sulmin terrorist të huliganëve të VMRO-së kundër institucionit të Parlamentit dhe liderëve të mazhorancës së re i uron shërim të shpejtë z. Ziadin Selës ;
Kërkon unitetin e partive shqiptare për të çuar në vend aspiratat dhe të drejtat legjitime të shqiptarëve si një popull shtetformues në Maqedoni;
I bën thirrje Shqipërisë dhe Kosovës që të ndërmarrin veprime diplomatike të koordinuara dhe më të ashpra ndaj regjimit maqedonas por dhe të aktivizohen më intensivisht në instancat ndërkombëtare;
I bën thirrje BE-së që të ndërmarrë sanksione kundër politikës së aparteidit e diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe në veçanti kundër personit të Gruevskit për largimin e tij dhe ballafaqimin me organet e drejtësisë për terrorizëm dhe shpërdorim të detyrës zyrtare ;
I bën gjithashtu thirrje BE-së për të rritur angazhimin e saj për zgjerimin, paqen dhe stabilitetin në Ballkan teksa ky rajon rrezikohet nga rrymat populiste dhe ekstremiste dhe qëllime destabilizuese dhe luftënxitëse për të dhe të gjithë Evropën.
Komuniteti Shqiptar i Belgjikës apelon për një pjesëmarrje masive të të gjithë shqiptarëve pa asnjë dallim të asnjë natyre, në protestën e të mërkurës 10 maj 2017!
Pas protestës, përfaqësuesit e Komunitetit shqiptar të Belgjikës do t’i dorëzojnë një memorandum autoriteteve të Bashkimit Evropian./Insajderi.com