Organizatat e shoqërisë civile të bashkuara nën moton #PROTESTOJ, të cilat kanë nisur tash e disa ditë të protestojnë kundër zyrtarëve që janë të përfshirë në skandalin e përgjimeve të publikuara nga Gazeta Insajderi, sërish kanë bërë thirrje për protestë.
Organizatorët kanë thënë protesta e radhës do të jetë të mërkurën nga ora 19:00, duke u nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe për të vazhduar deri te sheshi “Skënderbeu”.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e nesërme”, tha Kastriot Jahaj, njëri nga organizatorët.
Kurse Imer Mushkolaj, nga kjo lëvizje qytetare, shpreh indinjatën e tij rreth përgjimeve.
“Përgjimet që po i dëgjojmë janë bërë vetëm për dy muaj gjatë vitit 2011. Paramendojeni çfarë ka ndodhur me institucionet tona këto 5 vite”, është shprehur Mushkolaj.
Organizatorët kërkojnë përgjegjësi politike për të gjithë ata që janë të përfshirë në këto përgjime, duke paralajmëruar se protesta të tilla do të ketë deri në arritjen e këtij qëllimi./Insajderi.com