Ish ambasadori Jugosllavisë në Uashington dhe i Serbisë në Bern, Milan St. Protiq ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të qeverisë derisa një numër i mjaftueshëm i njerëzve në Serbi të rebelohen dhe të vendosin ta zëvendësojnë atë.
“Por këtu nuk bëhet fjalë zëvendësim i thjeshtë i një njeriu. E zëvendësojmë atë, dhe na imponohet e njëjta situatë. Këtu bëhet fjalë për ndryshim të sistemit, edhe atë jo vetëm politik por edhe të vlerës, mbi të gjitha”, ka deklaruar Protiq për revistën serbe NIN.
Duke folur për Kosovën, ai theksoi se mbetet mundësia e aranzhimit eventual – një ulëse në KB për anëtarësimin në BE, në të njëjtën kohë”.
“Një plan i tillë këtu dënohet si herezi më e keqe dhe tradhëti e pafalshme. Në fakt, ajo është politika e vetme reale në këto rrethana. Nuk është reale që Kosova të kthehet ndonjëherë në kornizën kushtetuese të Serbisë”, ka thënë Protiq.
Ai ka theksuar se Vuçiq po taktizon sepse ai nuk ka asnjë ide për Kosovën e as për Serbinë.
“Por, të jem i sinqertë, ai është pasqyra e duhur e Serbisë së sotme. Ai nuk ka guxim, as mendje, as njohuri, për çfarëdo hapi përpara në çfarëdo kuptimi. Ai, partia e tij, satrapët e tij – ky është qeverisja e bashibozukëve”, ka thënë Protiq./Insajderi.org.