
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se të shtunën (më 24 qershor) do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore.
MAShTI në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat ka bërë të ditur se ka realizuar të gjitha përgaditjet e duhura për organizimin e këtij provimi.
Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë, ka njoftuar MAShTI.
Tutje në njoftim thuhet se çfarëdo parregullsie eventuale në qendrën e testimit duhet të raportohet me shkrim në DKA dhe te MAShTI.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet e përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI”.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se kujdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.
“Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit”, thuhet në njoftim.
Testi do të organizohet në 178 qendra të testimit. Këtë vit, në sallën e testimit (klasat) përveç administruesve do të jetë edhe një mbikëqyrës (student absolvent ose të nivelit master).
Pas orës 10:00 nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përpos atyre përgjegjës për mbarëvajtjen e testit. Edhe për mediat në njoftim thuhet që mund të marrin pamje para fillimit të Testit të Maturës.
Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 3 korrik.