Një numër i konsiderueshëm i personave të afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje ia kanë mësyer konkursit për noterë. Konkurs, ky i cili në të kaluarën ishte anuluar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pikërisht për shkak të dyshimeve për nepotizëm, përkatësisht lidhjes së kandidatëve me anëtarë të partive politike. Një përgjigje për këta emra, e kanë dhënë edhe nga Ministria e Drejtësisë. Gazeta Insajderi ju sjell detajet.
Flakron Rexhepi, Dorentina Hasani, Besnik Nuhiu, Ahmet Imami, Denis Pirana, Arben Krasniqi, Ilir Kadolli, Milot Podvorica, Saranda Stublla, Avdi Muzliukaj, Genc Hndozi, Munip Derguti, Suna Sallahu, janë aktivistë, militantë, të afërm, miq e familjarë me figurat kyçe të partisë së Albin Kurtit.
Derisa, Komisioni është në procesin e kontrollimit të testeve të kandidatëve, i pari që bie në sy është kandidati Flakron Rexhepi.
Rexhepi është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje njëherit i emëruar si zyrtar në Kabinetin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Dorentina Hasani, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje njëherit mbanë pozitën e drejtoreshës së Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit. Kjo dëshmohet edhe përmes fotografisë së publikuar nga Alban Hyseni teksa e uron Hasanin për pozitën e re.
Besnik Nuhiu, ndërkohë është një përmbarues privat, ai vet kishte lobuar kundër kandidatëve që e kishin kaluar provimin e noterisë në vitin 2019.
I katër me radhë del të jetë, Ahmet Imami, ky i fundit nga votat e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend ishte përzjedhur anëtar i KGJK-së.
Denis Pirana, punon tek noterja Suna Sallahe anëtare e komisionit të provimit të noterisë e zgjedhur nga MD, bashkëshortja e Denisit ka qenë e angazhuar tek stafi i ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka.
Arben Krasniqi, anëtar i Lëvizjes VV, me ardhjen e VV në pushtet në komunën e Prizrenit i njëjti ishte transferuar nga Komuna e Prishtinës, pranë zyrës Ligjore në Komunën e Prizrenit.
Ai i njëjti shihet i afërt me deputetin Sali Zyba dhe mik i ngushtë i kunatit të Ministres së Drejtësisë Dardan Krasniqi.
Ilir Kadolli po-ashtu anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje i punësuar në Ekoregjion, në kohën kur ka qeverisur Vetëvendosje në Prizren, si dhe mik i afërt me deputetin Arber Rexhaj.
Kandidat për noter, figuron të jetë edhe Milot Podvorica. Ai shihet të jetë i afër me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në listë figuron edhe Saranda Stublla, aktualisht drejtoreshë e Kadastrit, e Komunës së Podujevës e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosje.
Avdi Muzliukaj, zyrtar i lartë i Vetëvendosje në Mitrovicë ish-shef i shtabit zgjedhur në Mitrovicë, njeri i afërt i Kryeministrit Albin Kurti.
Genc Hundozi, aktivist dhe militant i Vetëvendosjes njeri i afërt me Albin Kurti.
Munip Dërguti, militant i Vetëvendosjes në Rahovec, mik i deputetit Visar Korenica dhe zëvendësministrit, Arsim Berisha.
Si dhe Suna Sallahu, anëtare e komisionit për dhënien e provimit të noterisë e zgjedhur nga Ministra Albulena Haxhiu, bashkëshorte e anëtarit të lëvizjes Vetëvendosjes në Prizren, Valton Sahiti.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje prej disa prej kandidatëve, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Çka tha ministria e Drejtësisë?
Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për të kuptuar nëse është në dijeni që tek lista e kandidatëve për noterë, mbizotërojnë kandidatë të afërt me partinë e saj.
Nga ministria kanë deklaruar se është respektuar aspekti ligjor.
“Ju lutem njoftohuni se Kabineti i Ministres së Drejtësisë nuk është marrë fare me aplikimet e kandidatëve, përveç në rastet e shqyrtimit të ankesave pas refuzimit të aplikimeve nga Departamenti për Profesionet e Lira në Ministrinë e Drejtësisë që përbëhet nga stafi jo-politik i Ministrisë, ashtu siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi. Në këtë kuptim, ky departament ka bërë vlerësimin e aplikimeve të kandidatëve dhe në rastet kur këta kanë plotësuar kushtet ligjore për t’iu nënshtruar provimit, të njëjtëve iu është aprovuar aplikimi”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
“Të gjithë kandidatët i janë nënshtruar provimit në kushte të barabarta dhe rregullat e parandalimit të konfliktit të interesit në raport me Komisionin janë respektuar sipas përcaktimeve ligjore dhe nënligjore të legjislacionit në fuqi“.
Theksohet se kjo ministri nuk ia ka ndaluar kandidimin asnjë kandidati.
“Ministria e Drejtësisë nuk ia ka mohuar të drejtën asnjë kandidati që ka plotësuar kushtet për t’iu nënshtruar provimit të Noterisë, ashtu siç nuk mund dhe nuk do të favorizojë ose penalizojë asnjërin kandidat në fazat e mëtejme që i pasojnë shpalljes së rezultateve të provimit. Të njëjtit i janë nënshtruar një procesi të rregullt, të drejtë dhe profesional, të bazuar në kushte dhe mundësi të barabarta“, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderi teksa bëjnë me dije se është duke vazhduar procesi i kontrollit të testeve pas provimit të mbajtur me 27 janar të këtij viti.
Kontrollimi, thekson ministria se po bëhet në prezencë të monitoruesve, për të vazhduar me pas drejt finalizimit të këtij procesi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pse e kishte pezulluar Haxhiu konkursin për noter?
Sapo e pranoi postin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu vendosi për anulimin e konkursit për noter. Testi ishte mbajtur në prill të 2019, atëkohë me vendin udhëhiqte Ramush Haradinaj.
Përmes një konference Haxhiu e cilësonte procesin si jo ligjor. Akuzonte edhe për nepotizëm.
“Për këtë arsye, unë, si ministre e Drejtësisë, nuk mund të vazhdoj një proces që ka pasur parregullsi dhe ka humbur besimin. Nuk mund të vazhdoj me procesin ku shumica e kandidatëve që kanë kaluar provimin janë militantë të partisë, anëtarë ose miq të anëtarëve të Komisionit të Noterëve, ose anëtarëve të familjeve të tyre”, deklaronte ajo.
Ndërkohë, tani kur Haxhiu po udhëheq me Ministrinë e Drejtësisë dukshëm po dominon prezenca e Vetëvendosjes në këtë konkurs.
Theksojmë se noterët e rinj pritet të zgjidhen në këtë vit, pra 2024.
/Insajderi