
Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik në Ditën Ndërkombëtare të Puntorëve para ndërtesës së qeverisë.
Në këtë aksion para Qeverisë u vendosën ulëse pushimi dhe shezllon deti.
Aktivistët kanë vendosur edhe një pankartë me mbishkrimin, “Jemi në pushim vjetor 365 ditë”, reagim ky ndaj të drejtave të punëtorëve.
“Një punëtore që e mirëmbanë zyren e Kryeministrit të Kosovës paguhet 185 euro në muaj. Polici blen çizmet vetë, e minatorët punojnë 800 metra nën sipërfaqen e tokës me helmeta t’thyme. Infermierët e mjekët punojnë pa mjetet e domosdoshme në spitale ku pikë tavani. Punëtorët e marketeve nuk pushojnë as në festa, as në fundjava, e rojet e sigurisë punojnë në kabina 1 metër katror n’zhegun e ftohtin ma t’madh, gratë vazhdojnë të punojnë pa kontrata”.
Tutje ata thanë se për këtë arsye sot e kanë ilustruar qasjen e Kryeministrit përballë punëtorëve. Dhe sipas tyre ajo është pushim, qejf e rahati.
Sipas PSD-së kur kryeministri pushon, dispozitat e Ligjit të Punës shkelen çdo ditë nga pronarët e mëdhenj.
“Pronarët me të cilët kryeministri jonë është miqësuar. Kur ishte në opozitë takohej e afrohej me sindikatat, sot i shanë e sulmon ato. Paga minimale mbetet e njëjtë. Pagë që nuk i del punëtorit me e kalu as gjysmën e muajit. E inflacionit qeveria iu përgjigj me manipulime të shifrave. Tha që i rriti pagat, e bankomati tregoi që u ndalën shtesat”, tha njëra nga antarët e këtij subjekti.
Sipas Partisë Socialdemokrate puntorët e Kosovës nuk po ia dalin më këto kushte të punës.
“Dhjetra mijëra u larguan në dy vitet e fundit. Të tjerët do të vazhdojnë të neglizhohen nëse nuk organizohen. Kjo qeveri e ka dëshmu që është në gjatësi valore veç me të pasurit, veç me oligarkët. Andaj, ne jemi të bindur që klasa punëtore do të vazhdojë të shtypet e nëpërkëmbet nëse nuk organizohet në rezistencë”.
“Nëse pronarët nuk e ulin fitimin kur rritet inflacioni dhe nëse qeveria nuk e rritë presionin tek pronari, neve na mbetet ta rrisim solidaritetin e rezistencën. Pa rezistencë këta do ta kenë pushim 365 ditë në vit”, u shprehën ata gjatë proestës së sotme.