Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), me një opinion ligjor i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës lidhur me pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).
Këtë e ka bërë të ditur Dren Kukaj Drejtor i Pronës në Komunën e Prishtinës dhe anëtar i komisionit të aksioneve në NPB, i cili vjen nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD).
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kukaj ka shkruar se tash e tutje në krye të Ndërmarrjen Publike Banesore nuk do të jetë Nexhat Kryeziu.
“Ministria e Zhvillimit Ekonomik me një opinion ligjor i dha të drejtë Komunës së Prishtinës në raport me paqartësitë lidhur me Ndërmarrjen Publike Banesore. Ky opinion nuk mund të ishte ndryshe sepse ligji është i qartë. Opinioni sqaron dy çështje: 1. Vendimi ynë për emërimin e ushtruesit të detyrës se Kryeshefit Ekzekutiv është i ligjshëm; dhe 2. Nuk mund të ushtrosh detyra publike kur të skadon mandati i caktuar me ligj”, ka shkruar Kukaj.
Nexhat Kryeziu i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje ka qenë në krye të Ndërmarrjes Publike Banesore mirëpo ai ka vazhduar ta mbaj këtë pozitë, derisa në krye të NPB-së është emëruar Hajdar Hoxha.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar ushtruesi i detyrës, Hajdar Hoxha është ndaluar të hyjë në objektin e tij të punës.
Gazeta Insajderi kishte publikuar përgjimet e Nexhat Kryeziut dhe Liridon Latifit të cilët kanë planifikuar dhe zbatuar një skemë të prishjes së një konkursi për dhënien me qira të lokaleve komunale afër Katedralës. /Insajderi.com
Zyrtarët e Vetëvendosjes në stilin e Adem Grabovcit – Favorizojnë biznesmenë të afërt me partinë