Pse do ta votoja inxh. Përparim Rama për kryetar të Komunës së Prishtinës?! - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Pse do ta votoja inxh. Përparim Rama për kryetar të Komunës së Prishtinës?!

    Insajderi
    29 August 2021 - 16:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Mal Berisha – Ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë në  Britaninë e Madhe

    Inxhinjeri shqiptaro – britanik nga Prishtina, z Përparim Rama, po konkuron për kryetar të Komunës së Prishtinës, nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Në fakt, po mos ta njihja atë djalë dhe familjen e tij nga afër dhe po të dija komoditetin dhe rehatinë që ai ka në mes të Londrës, do të habitesha se çfarë e shtyn atë që Arra Serafinën, Tigër Rrokun dhe   Bron Nduë Ramën t’i kthente në Kosovë!? Një kthim në një kohë kur gjithkush prej Ballkanit kërkon të shkojë në Angli(?!) Aq me tepër kur i di mirë të ardhurat dhe suksesin e tij në fushën e vet, prapë do të thoja se përse, çfarë i duhet t’i hyjë një telashje të tillë e cila ia prish gjumin?

    Megjithatë, duke e njohur mirë atë dhe duke ditur se çfarë motivesh e shtyjnë që të kthehet në Prishtinë dhe të japë tërë përvojën dhe arritjet e veta, në të mirë të popullit të vet, atherë them:

    Lum Prishtina për kë do të votojë kësaj here për Kryetar Komune!

    Në 4 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Londër 

    Në mbrëmjen e datës 16 Shkurt 2012 mbrrita në Londër për të filluar punën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar në Oborrin e Shën Xhejmsit. Ajo datë ishte e zgjedhur prej meje në mënyrë që 17 Shkurtin, ditën e përvjetorit të katërt të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ta festoja bashkë me vëllezërit dhe motrat diplomatë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe.

    Po filloja punë pasi kisha kaluar një jetë të tërë me brengën, shqetësimet, sakrificat dhe më në fund gëzimet që më kishte sjellë zgjidhja e çështjes së Kosovës. Dita e mbërritjes në Londër nuk mund të ishte më e zgjedhur sesa ajo:

    “4-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë.”

    Bashkë më zonjën time, e kishim festuar ditën e shpalljes së saj në Prishtinë dhe tani do të festoja me kolegët kosovarë në Londër. Arritëm vonë në mbrëmje. Të nesërmen më 17 Shkurt 2012, në orën 12, morëm pjesë në pritjen e organizuar në Hotel “Corinthia”, në Whitehall. Ky hotel ishte zgjedhur me qëllim, pasi pikërisht aty mendohet se u mblodh Konferenca e Ambasadorëve, e cila vendosi njohjen e Shtetit të Pavarur Shqiptar, por me koston e lënies përtej kufijve të tij të territoreve të tëra, midis tyre edhe ato të Kosovës. Dhe ja tani pas 100 vjetësh, ajo pjesë e lënë jashtë kufirit politik të shtetit të shqiptarëve, do të festonte përvjetorin e vet. Edhe pse aq i padrejtë sa ishte ai vendim, prapëseprapë realiteti i ri ishte ky:

    Kosova e Pavarur.

    Vajtëm te Hoteli “Corinthia”. Ambasador i Kosovës ishte Prof. Muhamet Hamiti dhe zëvendës i tij, studiuesi i mirënjohur dhe drejtor e themelues i Institutit të Studimeve Shqiptare në Londër, z. Bejtullah Destani. Midis shumë miqve të shqiptarëve në atë pritje gjendej pothuajse e tërë anëtarësia e Shoqatës Anglo – Shqiptare e themeluar nga Aubrey Herbert dhe Edith Durham. Ishte edhe Prof Noel Malcolm.

    Vajtëm bashkë me kolegët e Ambasadës tonë në atë pritje aq të bukur dhe kuptimplotë. Takuam tërë antarët e stafit të ambasadës dhe aktivistë të hershëm dhe të vonë të çështjes së Kosovës në Britaninë e Madhe.

    Takimi dhe njohja me Inxh. Përparim Rama

    Midis atyre djemve e vajzave simpatikë të bashkësisë shqiptare të Londrës, takuam edhe ingj. Përparim Ramën me të shoqen, Kristalen. Ai ishte një djalë simpatik, me flokë të gjata. Ngjante shumë me një artist të Hollivoodit. Ishte i qeshur dhe i dashur. Nuk u deshën më shumë se dy minuta që me Përparimin dhe me Kristalen të bëheshim sikur njiheshim prej vitesh.

     Rrëfimet për Kosovën, unë nga qendra të ndryshme të botës përfshirë Prishtinën, e ai që nga Prishtina e tij e lindjes deri në Detroit, ku kishte gjetur fatin e jetës së tij, zonjushën shqiptaro amerikane Kristale – Ivezaj, ishin secila më interesante se tjetra.

    Nuk vonoi dhe ata të dy u shfaqën në Ambasadën tonë në një ndër aktivitetet e shumta që bënim në atë kohë.

     Ndihma e Inxh. Përparim Ramës për vendosjen e Bustit të Skënderbeut në Londër

    Në atë vit pune, i cili koincidoi me 100 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, objektivi ynë kryesor ishte vendosja e Bustit të Skënderbeut në Londër. Ishte një punë herkuliane, po të mendosh vështirësitë që kishte një gjë e tillë por që u realizua falë punës së palodhur që bëmë në grup, ku spikati edhe ndihmesa e arkitektit prishtinas, Përparim Rama dhe zonjës së tij Kristale Ivezaj – Rama.

    Një ditë e thirra Përparimin në zyrë dhe i tregova se objektivi im ishte vendosja e bustit.

    I thashë se një ndër vështirësitë ishte projekti i bustit, përgatitja profesionale dhe ligjore për materialin dokumentar dhe pastaj ekzekutimi i projektit.

    Përgjigja e tij ishte e menjëhërshme: “Baca Mal, po kjo do të ishte kënaqësia ime ma e madhe për të kontribuar në realizmin e këtij projekti. Dhe a e din se çka: Kjo ashtë krejt punë e firmës time, prandaj ma ler mua në dorë këtë punë!”

    Ajo që ndodhi më vonë është e stampuar me praninë e Bustit të Skënderbeut në Londër, në adresën 113 Ivernes Terrace W2C Londër.

    Një arritje e tillë nuk realizohej kurrë pa kontributein e shumë vetëvë por ndër ta veçoj punën e çiftit Rama.

    Inxh. Përparim Rama drejtues i UKAP (United Kingdom Albanian Professionals)

    Gjate viteve 2012 – 2015, veprimtaria e Ambasadës Shqiptare në Londër, përherë në bashkëpunim me atë të Kosovës, u intensifikua shumë. Dhe ja erdhi momenti të krijohej një ndër organizatat më prestigjioze shqiptare të asaj kohe e njohur si: “UK Albanian Professionals.” Aty erdhën shumë djem e vajza nga tërë trojet shqiptare. Krijimi i kësaj organizate ishte një risi pasi sillte një info shumë të gjërë për praninë e tyre nëpër institucionet britanike. Aty gjëndeshin profesorë universitetesh, punonjës bankash deri në zyra ekzekutive, mjekë, pedagogë, e sa e sa profesionistë të tjerë që u mblodhën rreth asaj organizate. Në krye të tyre u zgjodh inxh. Përparim Rama.

    Përparimi vinte nga një familje intelektualësh, edukatorë të brezave të tërë në Prishtinë. Megjithatë ai ishte një djalë që kishte arritur çdo gjë si i Vet – Bërë. Në ditët kur e njoha unë, kuptova se ai nuk do të ishte ai që ishte po mos të kishte në krahë një vajzë shqiptaro – amerikane, Kristale Ivezaj. Për atë zonjë do të flisja po aq shumë sa për Përparimin. Por dua të veçoj disa raste kur kisha patur fatin të isha mysafir i tyre.

    Mysafir të çiftit Rama në Londër

    Një ditë ata më ftuan për darkë në shtëpinë e tyre, e cila i ngjante më shumë një ateljeje arti. Aty gjëndej një ekspozitë, instalacion, të cilën ajo bashkë më artisten e njohur pejane të arteve pamore, Alketa Xhafa, e kishin organizuar me fustanet e grave të vrara dhe të përdhunuara gjatë luftës në Kosovë. Ajo çka pashë aty ishte shumë domethenëse. Dukej se ishte pjesë  e asaj që  më  vonë  do të  ishte projekti:

    “Edhe muret kanë  veshë”.

    Në fakt unë kisha kaluar 9 vjet në Prishtinë nën ombrellën e UNMIK – ut. Pasi kalova tre vjet në Tiranë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku në të vërtetë “puna e përditshme” ishte Kosova dhe pas katër vjetëve në Ambasadë në Londër, prapë m’u dha mundësia të kthehesha në Prishtinë. Ishin vitet 2016 – 2018.

    Në vargun e veprimtarive të shumta mbeten në kujtesën time edhe dy ngjarje: Një mbrëmje ku Përparimi mori në Qendrën e ekspozitave Sachi në sheshin Sloane çmimin e parë në botë në një konkurs ku merrnin pjesë 1300 konkurentë për arkitekturën më të bukur të mjediseve të brendshme.  Aty merrnin pjesë arkitektë dhe studio arkitekture të shquara që nga Japonia e deri në Argjentinë. Përparimi fitoi çmimin e parë për mjediset e brendshme të Hamamit në Prishtinë, të cilin e vizitoi më vonë edhe vetë Princi Charles i Uellsit.  Kjo e bënte dyfish më të vlefshëm atë çmim, pasi ishte edhe një kontribut për promovimin e Kosovës në botë.

    Ndër kujtimet e bukura të kësaj periudhe mbeten takimet me Përparim Ramën dhe zonjën e tij, të cilët sa herë vinin në Prishtinë nuk harronin të na takonin e të ndanim me ta atë dashuri vllaznore, unike.

    Brezi i ri i drejtuesve të Kosovës

    Kisha patur fatin që në vitet 1992 – 1997  të ushtroja  detyrën e Konsullit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Stamboll. Gjatë pesë viteve të punës aty, m’u dha mundësia që të njihesha me një numër të madh bashkëatdhetarësh nga Kosova. Ndër ta kishte personalitete të shkencës e kulturës së asaj kohe dhe më vonë edhe drejtues të shtetit të ri të Kosovës.

    Takova dhe prita Kryeministra dhe Ministra të Qeverisë së Kosovës në mërgim, si edhe prej atyre që do të bëheshin më vonë Ministra e Kryeminstra, Kryetarë të Gjykatës Kushtetuese e Rektorë Universiteti, mjekë të shquar e studentë kosovarë që sot drejtojnë punët e Kosovës.

    Gjatë  viteve të  shërbimit tim nën obrellën e Kombeve të  Bashkuara në  Kosovë,  u njoha me të gjithë establishmentin politik, pa përmendur gazetarë, artistë dhe njerëz të shquar.

    Ndër ata njerëz që kishin dalë nga lufta mbas tërë atyre vuajtjeve dhe peripecive ishte edhe një vajzë 18 vjeçare nga Mitrovica, e cila u bë politikanja më e suksesshme e Republikës së Kosovës në ditët e sotme. Ishte Presidentja Vjosa Osmani. Njohja me atë vajzë dhe me historinë e familjes së saj ka qenë një ndër momentet më mbresëlënëse të jetës në Kosovë. Në atë moshë ajo zotëronte tre-katër gjuhë të huaja dhe kishte një zgjuarsi dhe integritet të lakmueshëm për çdo të ri të moshës së saj.

    Më  vonë  do të njihesha me vëllezër e motra të tjerë kosovarë që do t’i prijnë të ardhmes së atij vendi. Ndër ta është  edhe Përparim Rama.  Në  fakt ai e ka vënë emrin përkrah njerëzve të shquar të Kosovës duke filluar nga i madhi Bekim Fehmiu, Fadil Vokrri, Enver Petrovci, Rita Ora, Lorik Cana, Dua Lipa, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Harry Bajraktari, Mark Gjonaj, Mason Alban e deri tek konkurentët e sotëm në kinematografinë botërore. Thjesht pse artistëve dhe sportistëve iu bëhet më shumë reklamë nuk do të thotë se profesionistët janë më pak të suksesshem. E Përparim Rama i ka bërë nder Kosovës që nga Londra e tash i bën nder Prishitnës kur ta drejtojë atë nga zyra e Kryetarit të Komunës. Një përshëndetje edhe për Kryetarin e LDK – së z Abdixhiku për zgjedhjen që ka bërë për drejtimin e Komunës së Prishtinës!

    Suksese i dashur Përparim për të mirën e Prishtinës dhe të Kosovës!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark