Pse Formula 1 nuk zhvillohet kur ka shi? - Insajderi
×
  • Sport
  • Insporti

    Pse Formula 1 nuk zhvillohet kur ka shi?

    Insajderi
    27 July 2025 - 23:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Çmimi i Madh i Belgjikës 2025 në Spa-Francorchamps e riktheu në vëmendje debatin e përhershëm: a duhet të zhvillohen garat në shi të dendur? Pasi gara u shty për më shumë se një orë për shkak të dukshmërisë së ulët, u duk qartë se F1 ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare për këtë sfidë.

    Spa është simbol i dramës kur bie shi, por këtë herë spektakli mungoi. Situata solli kujtime nga viti 2021, kur FIA shpalli fituesin pa u zhvilluar realisht gara.

    Sot, shumë pyesin pse F1 nuk garon më në kushte ekstreme si dikur. Arsyeja kryesore është siguria: makinat moderne prodhojnë një spërkatje të dendur që bllokon shikimin, duke e bërë garimin pothuajse të verbër për ata që janë pas.

    Gomat e Pirellit për shi evakuojnë deri në 85 litra ujë në sekondë, por kjo rrit edhe më shumë spërkatjen. Problemi nuk është më aderenca (“ngjitja” ose “kapja” e gomave me asfaltin) shkaku i shiut, por mungesa e dukshmërisë – një rrezik i madh në një sport ku vendimet merren në fraksione sekonde.

    FIA ka testuar panele për të mbuluar gomat, por rezultatet ishin të dobëta. Ekspertë si Pedro de la Rosa sugjerojnë ndërhyrje në infrastrukturën e pistës, me përmirësime në asfalt për të zvogëluar spërkatjen.

    Ndërkohë, rregullorja sportive është bërë më konservatore pas rasteve tragjike në të kaluarën. Gara nuk nis nëse dukshmëria nuk është optimale, pavarësisht sigurisë teknike të pistës.

    Deri në gjetjen e një zgjidhjeje teknike të qëndrueshme, Formula 1 do të vazhdojë të jetë në mëshirë të motit dhe të vendimeve të debatueshme të FIA-s.

    Megjithatë, në garën e zhvilluar sot, Oscar Piastri fitoi Çmimin e Madh të Belgjikës, para Lando Norris, ndërsa Charles Leclerc u rendit i treti në këtë garë të vështirë të ndikuar nga kushtet atmosferike.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark