×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Pse kaq shumë hungarezë s’duan të kenë fëmijë

    Insajderi
    08 October 2024 - 17:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në vitin 2014, kur ajo ishte 26-vjeçare, fotografja Zsuzsanna Simon e mori një vendim të guximshëm.

    Me një buzëkuq, ajo shkroi në barkun e saj: “Nuk do të lind fëmijë derisa të ndryshojë Qeveria”.

    Protesta e saj u shndërrua në seri, pasi Simon u shkrepi fotografi grave të tjera, të cilat mbanin në trupin e tyre mbishkrimin e njëjtë apo të ngjashëm me të saj.

    Dhjetë vjet më vonë, veprimet e tyre janë më të rëndësishme se asnjëherë më parë, sepse shumë më shumë njerëz në Hungari po zgjedhin tani të mos kenë fëmijë, përkundër – apo në disa raste për shkak të – politikave profamiljes të partisë nacionaliste në pushtet, Fidesz.

    Duke folur nga banesa e saj në Budapest, Simon, e cila nuk ka fëmijë, thotë se “donte të bënte diçka radikale”.

    “Ato ishin gra mesatare, të cilat donin ta ngrinin zërin kundër Qeverisë në një mënyrë”, tha ajo për gratë që morën pjesë në projektin e saj.

    Shkalla e ulët e lindjeve

    Hungaria përballet me shkallë të ulët të lindjeve dhe me rënie të numrit të popullsisë. Më 2023, numri i lindjeve në Hungari shënoi rënie historike dhe popullsia u tkurr për 15.000 njerëz, sipas të dhënave nga Zyra Qendrore e Hungarisë për Statistika.

    Gjatë dekadës së fundit, popullsia e Hungarisë ka rënë nga rreth 10 milionë në 9.7 milionë.

    Demografët janë në veçanti të interesuar në gratë mbi moshën 40-vjeçare, një grup që ofroi hollësi rreth grave që nuk do të kenë kurrë fëmijë. Në atë grup, sipas rezultateve të publikuara së voni të regjistrimit të popullsisë në Hungari më 2022, numri i njerëzve që nuk duan të kenë fëmijë është në rritje.

    Paria Fidesz, e cila është në pushtet nga viti 2010, është duke u përpjekur ta ndalë tkurrjen e popullisë pa u varur nga emigrimi, siç kanë bërë vendet e tjera evropiane.

    Duke folur në një intervistë më 2022, kryeministri populist dhe nacionalist i vendit, Viktor Orban, i cili i ka pesë fëmijë, tha se “ne duam t’ua lëmë vendin fëmijëve tanë, jo të huajve”.

    Gjatë kohës në pushtet, Fidesz ka zbatuar politika miqësore ndaj familjes, përfshirë hua pa kamatë për çiftet e martuara që kanë fëmijë, subvencione për banim dhe lirim nga tatimi për nënat me katër apo më shumë fëmijë.

    Ekspertët thonë se, megjithatë, se derisa këto nisma kanë pasur ndikim pozitiv modest në shkallën e lindshmërisë, ato kanë qenë të pamjaftueshme për ta ndalur trendin e përgjithshëm të rënies.

    Sikur qytetarë të dorës së dytë

    Rebecca Laura Racz, një gazetare 45-vjeçare që ka shkruar libër për lëvizjen pa fëmijë në Hungari, thotë se ky komunitet po rritet, por është ende relativisht i vogël. Ai ka disa mijëra pjesëtarë deri tani, sipas aj.

    Nga njerëzit që i ka anketuar, Raczi thotë se personat që nuk kanë fëmijë priren të jetojnë në qytete dhe kanë nivele të larta arsimimi. Ajo vlerëson se dy të tretat e tyre janë në marrëdhënie afatgjata.

    Për shkak të politikave familjare të Qeverisë, Raczi thotë se shumë hungarezë që s’kanë fëmijë ndihen sikur Qeveria i trajton ata si qytetarë të dorës së dytë.

    “Ata thonë se mund ta përballojnë një kredi, një makinë ose një banesë, vetëm nëse do të kishin një fëmijë”, thotë Racz.

    Kjo lëvizje ka fituar momentum kohët e fundit në shkallë globale. Presioni i rritur ekonomik, shqetësimet mjedisore, normat shoqërore që po evoluojnë dhe një fokus gjithnjë e më i madh te autonomia individuale, kanë nxitur këtë prirje.

    Në Hungari, ekspertët thonë se arsyeja kryesore pse njerëzit vendosin të mos kenë fëmijë është pasiguria ekonomike.

    Szandra Kramarics, studiuese e politikave sociale, thotë se shumë të rinj nuk janë të bindur nga ofertat e Qeverisë për ndihmë financiare.

    “Shumica e [njerëzve që intervistova] thanë se ngurrojnë të kenë fëmijë, pasi janë të pakënaqur me kujdesin shëndetësor, arsimin dhe mungesën e hapësirave në kopshtet e fëmijëve”, thotë ajo. “Dhe shumë [njerëz] thjesht nuk e shohin një të ardhme këtu”.

    Ndryshimi i politikave qeveritare

    Sipas demografit Balazs Kapitany, i cili foli për Shërbimin hungarez të Radios Evropa e Lirë në vitin 2023, vendimi i njerëzve për të pasur fëmijë ndërlikohet nga ndryshimet e vazhdueshme në politikat e Qeverisë së Orbanit — e cila rregullisht zbaton masa të reja dhe anulon të tjerat.

    Për shembull, programi popullor i Qeverisë “Zbritja për Krijimin e Shtëpive Familjare” (CSOK), një program që ofronte ndihmë financiare për familjet për të blerë, ndërtuar ose zgjeruar shtëpitë, tashmë ka përfunduar.

    Ai është zëvendësuar nga CSOK Plusz, një subvencion i ngjashëm por me rregulla të reja, dhe Fshati CSOK, i cili zbatohet vetëm në disa zona rurale dhe është i lidhur me punësim të vazhdueshëm.

    “Çiftet do ta kuptojnë shpejt se këto masa nuk do të zbatohen nga Qeveria”, tha Kapitany për REL-in. “Dhe nismat e reja do të humbasin efikasitetin e tyre, pasi [njerëzit] nuk llogarisin në to”.

    Shumë nga subvencionet e reja të Fideszit janë të lidhura me punësimin ose moshën.

    “Qëllimi i Qeverisë nuk është t’i mbështesë të gjithë”, thotë Kramarics, duke theksuar se politikat janë selektive dhe të drejtuara kryesisht për klasën e mesme.

    Kjo është diçka që Tibi, i cili i kërkoi që mbiemri i tij të mbetej anonim, e di shumë mirë. Tibi është anëtar i një prej shumë grupeve në Facebook në Hungari për njerëzit që nuk kanë fëmijë.

    Ai thotë se ai dhe partnerja e tij vendosën qysh në fillim të marrëdhënies së tyre të mos bënin fëmijë.

    Kur Tibi po blinte pronë, ai u trondit kur pa sa të larta ishin çmimet, të cilat, sipas shumë njerëzve, janë si pasojë e hipotekave të subvencionuara për familjet me fëmijë. Tibi nuk kualifikohej për këto subvencione.

    “Ajo që Fidesz e quan politikë familjare është një kurth financiar dhe familjet po bëhen viktima pa e kuptuar fare”, thotë Tibi.

    Inflacioni i lartë

    Derisa nuk ka munguar mbështetja financiare nga Qeveria për familjet, inflacioni është rritur në shkallë rekorde vitet e fundit, me normë mesatare prej 17 për qind për vitin 2023.

    “Ky inflacion nuk do të kompensohet përmes lirimit nga tatimi për familjet”, thotë Tibi.

    Politikanët hungarezë, sipas demografit Kapitany, kanë pasur pritje më të mëdha seç duhej nga këto politika familjare, në lidhje me rritjen e popullsisë.

    “Zakonisht ka ndikim, por ai është i vogël, i paefektshëm dhe i vështirë për t’u matur”, tha demografi. “Vendimet për të pasur fëmijë janë të ndërlikuara dhe komplekse. Njerëzit nuk janë si makinat, në të cilat hedh një monedhë dhe merr një çokollatë të nxehtë”.

    Pavarësisht projektit të saj të fotografisë, Simon thotë se nuk është politika ajo që e pengon të ketë fëmijë. Por, ajo thotë se Qeveria Fidesz e ka bërë më të vështirë për të përballuar çdo ditë.

    Vetëm arti i saj nuk mjafton për t’i paguar faturat, prandaj ajo ka pasur nevojë të punojë privatisht, duke bërë fotografi në një fabrikë çeliku. Ndërsa, ndryshimet në tatim për punën e pavarur në vitin 2022 e kanë bërë jetën e saj më të vështirë, thotë ajo.

    Për të pasur fëmijë, thotë ajo, thjesht dëshiron të jetë në një “gjendje normale mendore”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark