Pse lufta në Ukrainë nuk do përshkallëzohet në një luftë bërthamore - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Pse lufta në Ukrainë nuk do përshkallëzohet në një luftë bërthamore

    Insajderi
    26 April 2022 - 10:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
    Nga Gideon Rose “Foreign Affairs”

    Analizat e hershme mbi luftës në Ukrainë, e vunë theksin tek disa faktorë unikë, si historia komplekse e rajonit, psikologjia komplekse e presidentit rus Vladimir Putin, si dhe lidershipi karizmatik i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

    Konflikti dukej të ishte i ri, i paparashikueshëm, dhe shënonte fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre, me tipare ende të panjohura. Por ndërsa luftimet vazhdojnë, lufta po duket si më e “njohur”. Ajo po i ngjan gjithnjë e më shumë konflikteve të tjera gjatë 7 dekadave të fundit.

    Kjo sugjeron se palëve ndërluftuese po u imponohen tiparet e përgjithshme strukturore të situatës, duke i orientuar veprimet e tyre në ingranazhe të njohura më parë. Pra me pak fjalë Ukraina po ndjek modelin e luftës së kufizuar në epokën bërthamore, duke i bërë jehonë një skenari të shkruar në Kore, dhe të kopjuar shumë herë që nga ajo kohë.

    Pra kjo që po përjetojmë nuk është një epokë e re, por vetëm një fazë e re në epokën e vjetër. Madje edhe kjo fazë e re po luhet sipas të njëjtave rregulla të vjetra, me pasoja të rëndësishme për pjesën e mbetur të luftës dhe më gjerë.

    Në fundin e viteve 1940, politikë-bërësit amerikanë u përballën me një problem të paprecedentë: çfarë të bënin me armët që mund të shkatërronin botën? Përgjatë historisë, shtetet i kishin zgjidhur përmes luftës dallimet e tyre më të mëdha.

    Por me kalimin e kohës, luftërat ishin bërë gjithnjë e më shkatërruese, duke kulmuar me luftën totale që sapo kishte përfunduar, e cila kishte kulmuar me hedhjen e bombave bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, duke shkatërruar qytete të tëra me një shpërthim të vetëm.

    Askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më pas. Thyerja e ciklit të luftës dukej e pamundur. Vazhdimi dukej i paimagjinueshme. Tensionet u rritën më tej kur Bashkimi Sovjetik prodhoi vetë bombën e parë bërthamore në vitin 1949. Dhe më pas, në qershorin e vitit 1950, forcat e Koresë së Veriut pushtuan Korenë e Jugut.

    Uashingtoni dhe aleatët e tij u rreshtuan me shpejtësi në anën e Seulit, duke u përballur me Moskën, e cila bashkë me Pekinin po mbështeste Phenianin. Si do të zhvillohej lufta në një epokë bërthamore? Për 3 vjet, ndërsa luftimet brutale përfshinë gjithë gadishullin Korean, të dyja palët vendosën në heshtje rregullat e sjelljes për epokën e re.

    Asnjë nga fuqitë bërthamore nuk donte një luftë tjetër totale, ndaj që të dyja vendosën kufizime të rrepta mbi mjetet, qëllimet dhe shtrirjen e konfliktit. Ato zgjodhën të mos përdorin armët bërthamore. Zgjodhën të mos sulmonin territorin apo regjimin e njëri-tjetrit, duke i kufizuar luftimet vetëm në Kore.

    Përtej kësaj, lufta u lejua të vazhdonte në mënyrë konvencionale, aq egër sa të dëshironin luftëtarët. Këto rregulla nuk u lexuan në ndonjë manual dhe as nuk u arritën përmes negociatave. Ato nuk u zbatuan për shkak të besimit, shpresës, apo dashamirësisë.

    Ato ishin të rrënjosura tek praktika. Politikë-bërësit në Moskë dhe Uashington duhej të merrnin vendime vendimtare në kohë reale, se si të ndiqnin objektivat e tyre gjatë luftës, dhe logjika e natyrshme i bëri disa veprime shumë më tërheqëse se të tjerat.

    Me gjithë fuqinë e tyre – dhe për shkak të gjithë fuqisë së tyre – armët bërthamore rezultuan të ishin çuditërisht të pafuqishme. Përdorimi i tyre do të kishte shumë kosto, dhe do të sillte pak përfitime. Ato do të krijonin më shumë probleme sesa do të zgjidhnin. Për këtë arsye, asnjë superfuqi nuk i përdori ndonjëherë.

    Një dekadë më vonë, Kriza Kubane e Raketave e përforcoi tabunë në rritje kundër përdorimit të armëve bërthamore. Edhe Lufta e Vietnamit ndoqi të njëjtin model si Koreja. Asnjë nga fuqitë bërthamore, tashmë duke përfshirë edhe Kinën, nuk përdori armë bërthamore.

    Asnjë prej tyre nuk e sulmoi territorin apo regjimin e një fuqie tjetër bërthamore. Të njëjtat rregulla u zbatuan edhe në Luftën e Gjirit, Luftën e Irakut dhe luftërat sovjetike dhe amerikane në Afganistan. Dhe e njëjta sjellje po ndodh edhe gjatë luftës aktuale në Ukrainë.

    Plani A i Rusisë ishte të pushtonte me shpejtësi Ukrainën, të vendoste aty një qeveri miqësore ndaj saj, dhe ta vendoste botën para faktit të kryer. Kur kjo u bllokua nga rezistenca e fortë ushtarake e ukrainasve, Moska iu drejtua planit B, duke i goditur qytetet ukrainase nga distanca, dhe duke u përpjekur të dobësojë moralin ukrainas.

    Kur as kjo nuk funksionoi, Kremlini iu drejtua planit C, duke e braktisur përpjekjen për të pushtuar gjithë vendin, dhe duke u fokusuar në përpjekjen për të pushtuar dhe mbajtur një pjesë të territorit në lindje dhe jug. Betejat e ardhshme në Donbas do të jenë vendimtare në rezultatin e kësaj luftë, por tashmë mund të thuhen shumë gjëra se si do të përfundojë kjo luftë.

    Ajo ose do të përfundojë me një zgjidhje të negociuar që përfshin rikthimin në statuskuonë e vjetër territoriale, ose do të shndërrohet në një konflikt të ngrirë përgjatë vijës së frontit midis 2 ushtrive në lindje të Ukrainës. Pra fundi i luftës do t’i ngjajë Luftës Koreane, asaj të Gjirit Persik, apo situatës në Abkhazi, Osetinë e Jugut dhe Transnistria.

    Sido që të jetë, ashtu si në Kore, tronditja që shkaktoi agresioni në fillim ka krijuar një koalicion më të gjerë ndërkombëtar balancues, që do të mbetet në këmbë edhe kur të ndalojnë luftimet. Pra Rusia zgjodhi një luftë të nxehtë, dhe do të marrë në këmbim një tjetër Luftë të Ftohtë.

    Çfarëdolloj gjëje që mund të sugjerojnë disa interpretime të doktrinës ushtarake ruse, Moska nuk do t`i përdorë armët bërthamore gjatë këtij konfliktit. Që nga viti 1945, çdo udhëheqës i një fuqie bërthamore, nga presidentët e SHBA-së Harry Truman dhe Lyndon Johnson dhe deri tek diktatorët si Stalini dhe Mao, kanë refuzuar përdorimin e armëve bërthamore në beteja.

    Edhe Putin nuk do të jetë një përjashtim. Ai e di se ky akt do të pasohet nga një hakmarrje e jashtëzakonshme dhe një përçmim global, pa asnjë avantazh strategjik që mund ta justifikonte atë. Për të mos përmendur faktin se pasojat radioaktive nga një përdorim i tillë, mund të dëmtonin lehtësisht vetë Rusinë.

    Për arsye të ngjashme, as NATO nuk do ta sulmojë Rusinë, dhe as nuk do të përpiqet të rrëzojë regjimin në Moskë, në mënyrë që të mos e bëjë Putinin të dëshpëruar. Nuk do të ketë zbarkim të trupave të NATO-s në Ukrainë, asnjë zonë të ndalim-fluturimit dhe asnjë ndjekje të forcave ruse nëse ato tërhiqen sërish në territorin e tyre.

    Të gjitha këto veprime do të bartnin rreziqe të mëdha të përshkallëzimit, të cilat NATO dëshiron që t’i shmangë po aq sa edhe Moska. Anasjelltas, NATO do të ndihet e detyruar t’i mohojë Moskës një fitore të rëndësishme, jo vetëm për hir të Ukrainës, por për të shmangur vendosjen e precedentit të rrezikshëm se armët bërthamore janë të dobishme për mbrojtjen e përfitimeve të arritura nëpërmjet një sulmi me armë konvencionale.

    Brenda këtyre kufijve, lufta do të zhvillohet në maksimum, derisa vala e luftës të kthehet në mënyrë vendimtare në një drejtim ose të zhytet në një ngërç. Palët ndërluftuese do të luftojnë derisa të lodhen ose deri kur linjat e frontit të rikthehen në diçka të ngjashme me pikën fillestare.

    Qëllimi i administratës Biden duhet të jetë përshpejtimi i gjithë kësaj, duke vazhduar që ta furnizojë Ukrainën me çfarëdolloj ndihme konvencionale ushtarake, duke shmangur retorikën për rrëzimin e udhëheqjes ruse, dhe duke qenë gati për të negociuar seriozisht kur të jenë të pjekura kushtet.

    E vetmja gjë për të cilën duket se janë të “mira” armët bërthamore, është frenimi i sulmeve të mëdha ndaj atyre që i kanë ato. Në këtë aspekt, pushtimi rus i Ukrainës, ashtu si fushata e NATO-s në Libi në vitin 2011, do të konfirmojë vetëm vlerën e tyre, jo sepse rusët do t’i përdorin ato, por sepse Ukraina nuk ka armë të tilla.

    Luftërat e kufizuara konvencionale si ajo në Ukrainë janë ende të mundshme në epokën bërthamore. Megjithatë, luftërat e përgjithshme të fuqive të mëdha janë jashtëzakonisht të pamundura. Ky është një zhvillim i madh në historinë njerëzore, sepse luftëra të tilla kanë shkaktuar vdekje, shkatërrime dhe trazira të jashtëzakonshme.

    Lufta e re e ftohtë midis Rusisë dhe Perëndimit, do të ndryshojë nga ajo e vjetra pjesërisht sepse lojtarët kryesorë global si Kina, India dhe pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme po zgjedhin ta përjashtojnë këtë. Multipolariteti nuk është më një teori, por një fakt, dhe fuqitë në rritje do të kërkojnë gjithnjë e më shumë një rol në vendosjen e rregullave globale, jo vetëm në ndjekjen e tyre./abcnews.al/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark