Naser Pajaziti
Në Maqedoninë e Veriut në kuadër të kornizës ligjore të vetqeverisjes lokale funksionon Bashkësia e komunave apo Asociacioni i quajtur BNJVL (Bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut), që bashkon të gjitha 81 komunat dhe Qytetin të Shkupit si anëtare të saja.
BNJVL është asociacion i vetëm nacional, një model i avancuar që bazohet në koncensus të përgjithshëm shtetëror, duke eliminuar vijat ndarëse etnike.
Në Maqedoninë e Veriut aktualisht janë mbi 15 komuna etnikisht të pastra me banorë shqiptarë dhe ato të përziera me dominancë shumice shqiptare, megjithatë janë pjesë e BNJVL-së.
Ky model mund të jetë i zbatueshëm dhe një lloj kompromisi në Kosovë që eliminon çdo tendencë të planeve apo prapaskenave ndarëse, që tashmë janë shqetësim për Qeverinë e Kosovës.
BNJVL si qendër unike ka si mision koordinimin e aktiviteteve për punën e njësive të vetëqeverisjes lokale, me qëllim të realizimit më thelbësor të aspiratave dhe përpjekjeve për ngritjen e kualitetit të realizimit demokratik të proceseve me karakter lokal.
Për realizimin e qëllimeve të cilat pa dyshim janë unike, BNJVL gjeti mekanizma për përfshirje aktive të të gjitha kapaciteteve intelektuale dhe teknike të komunave duke formuar komisione të cilat i përfshijnë të gjitha sferat e decentralizimit.
Për funksionim efikas, konform Statutit, BNJVL i ka këto organe:
– Kuvendi Gjeneral, i përbërë nga 9 delegatë (81 kryetarë komunash dhe 9 anëtarë të Komitetit të këshillave të BNJVL-së)
– Bordi drejtues, i përbërë nga 22 anëtarë (19 kryetarë komunash dhe 3 anëtarë të Komitetit të këshillave të BNJVL-së)
– Bordi mbikëqyrës, i përbërë nga 6 anëtarë (5 kryetarë komunash dhe 1 anëtar të Komitetit të këshillave të BNJVL-së)
– Komiteti i këshillave, i përbërë nga 9 anëtarë
Përkrahje të punës së këtyre trupave i jep administrata e BNJVL-së, me 16 të punësuar. Gjatë proceseve të bashkëpunimit , BNJVL krijoi listë të gjatë ekspertësh nga lëmi të ndryshme që sipas nevojës angazhohen për dhënien e mendimeve të ekspertëve.
BNJVL vepron edhe në nivel ndërkombëtar. Ajo është anëtare e CLRAE-Kongresi i pushteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Evropës, CEMR-Kongresi i komunave dhe rajoneve evropiane, NALAS, Rrjeti i asociacioneve nacionale të pushteteve lokale nga vendet e Evropës Juglindore, ALDA-Asociacioni i agjencioneve për demokraci lokale dhe e Komitetit të përbashkët konsultativ midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komitetit të rajoneve të Bashkimit Evropian.
BNJVL kontribuon për zhvillimin e demokracisë lokale dhe zbatimin e suksesshëm të decentralizimit të pushtetit dhe jep kontribut aktiv në përpjekjet e vendit për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Dëshmi për këtë është fakti që në raportet e Këshillit të Evropës, për përparimin e vendit, aktivitetet e BNJVL-së janë paraqitur si tejet të rëndësishme për zhvillimin e procesit të decentralizimit.