Kandidati i republikanëve për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t’u shpallur president, mirëpo zyrtarisht ende nuk është konfirmuar. Pse?
Pritja po vazhdon për më të rejat nga qarku Uejn i Miçigenit dhe qarku Milluaki i Uiskonsinit, dy baza të demokratëve, të cilat përbëjnë mundësinë e vetme që Harris të shënojë fitore në këto dy shtete të papërcaktuara.
Përveç tyre, edhe nuk dihet rezultati përfundimtar në Alaskë, Arizonë, dy qarqe në Mejn, Minesotë dhe Nevadë.
Në SHBA janë shtatë shtete të papërcaktuara, pra që mund të ndryshojnë rrjedhën e rezultatit zgjedhor.
Të tjerat, qëndrojnë zakonisht besnike në preferencë, votojnë tradicionalisht ose për demokratët, ose për republikanët.
Prej shtatë shteteve të papërcaktuara, Trump ka shënuar fitore në Pensilvani, Karolinë të Veriut dhe Xhorxhia.
Katër shtete tjera të papërcaktuara janë: Uiskonsin, Nevada, Miçigan dhe Arizona.
Trump i ka siguruar 267 votat e Kolegjit Elektoral prej 270 të tillave, sa duhet që një kandidat të shpallet fitues.
Kandidatja e demokratëve, Harris, i ka 224 vota deri më tani.