Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është parë ulur në një kafene me politikanin serb, Aleksandar Arsenjeviq, në veri të vendit. Ka edhe pamje nga ky takim.
Por, dy protagnistët në video, kanë dhënë versione të ndryshme se si kanë përfunduar në kafene bashkë e për çfarë kanë folur. Të dy thonë se takimi ka ndodhur vitin e kaluar, në tetor apo nëntor.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se politikani serb i është ulur në tavolinë.
“Në fund të tetorit të vitit të kaluar…Aty ka ardh unë se kam njoftë, veç ka ardh është prezantu e pas atij prezantimi në njërën nga këto organizimet nga ambasadat kur ka qenë ai ka ardhë edhe më ka përshëndetë. Jemi taku ka ardh në rrugë aty ka qenë kemi bo muhabet se sa është e rëndësishme kjo pjesa e shëndetësisë dhe sa është e rëndësishme me u prevenue kanceri i gjirit te gratë. Asnjëherë privatisht vetëm unë dhe ai, këtë ta them me përgjegjësi të plotë nuk jemi takuar”, ka deklaruar Vitia.
Ai ka mohuar se është takuar i vetëm me Arsenjeviq.
“Aty kanë qenë së paku edhe dy veta të tjerë ku kemi qenë afër mamogramit mobil dhe jam ulë në kafe qaty ka ardhë edhe u ulë me mua dhe kemi bisedu qato tema që i thash. Për besë është e pamundshme eventualisht kur ka shku dikush me bo pagesën ose diqka, sepse jam i sigurt, jam qind për qind i sigurt se aty kam qenë me shefin e kabinetit dhe ka qenë edhe një person tjetër tash mos gabofsha nga Komuna e Mitrovicës së Veriut”, ka deklaruar Vitia për “Betimi për Drejtësi”.
E Arsenjeviq ka dhënë version tjetër. Sipas tij, Vitia ka kërkuar që të ulen e të bisedojnë.
“Po unë nuk mund të vendosi për çështje të shëndetësisë asgjë kështu që kjo nuk ka qenë në gusht por vitin e kaluar në tetor, nëntor, tetor, para një viti, ka qenë kur ai ka ardhur me skenerin mobil për mamografi. Vetëm jemi ulur të pimë një kafe private, ka kërkuar të ulemi pasi njihemi më herët, tema e diskutimit nuk ka qenë as shëndetësia, e asgjë, thjeshtë ka pas dëshirë të pimë kafe. Unë kam qenë mikpritës i mirë vetëm kemi pirë kafe”, ka thënë ai.
Politikani serb ka thënë se Vitinë e konsideron “të vetmin normal në qeveri”.
“Ministrin Vitia e konsideroj të vetmin normal në qeveri, kështu që atë bisedë ka qenë me siguri e karakterit privat, kemi folur për çështje normale”, ka thënë Arsenjeviq.
Arsenjeviq para dy javësh u arrestua nga Policia e Kosovës meqë u fishkelleu Kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave tjerë që po vizitonin bizneset shqiptare në veri.