Shruan: Yuval Noah Harari
Në më pak se një javë luftë, duket gjithnjë e më e mundur që Vladimir Putini po shkon drejt një disfate historike. Ai mund t’i fitojë të gjitha betejat por prapë ta humbë luftën. Ëndrra e Putinit për ta rindërtuar perandorinë ruse ka qëndruar gjithmonë në gënjeshtrën që gjoja Ukraina nuk është komb i vërtetë, që ukrainasit nuk janë njerëz të vërtetë, dhe se banorët e Kievit, Kharkivit dhe Lvivit kanë mall për sundimin moskovit. Kjo është një rrenë e kulluar – Ukraina është një komb me më shumë se njëmijë vjet histori, dhe Kievi kishte qenë veçse metropol madhor kur Moska s’ishte as katund. Por despoti rus e ka thënë këtë rrenë aq shpesh saqë si duket ka filluar ta besojë ai vetë.
Kur planifikonte pushtimin e Ukrainës, Putini ka mundur të llogariste në shumë fakte të ditura. Ai e dinte që Rusia e qet në hije Ukrainën ushtarakisht. Ai e dinte që NATO-ja nuk do të dërgonte trupa për ta ndihmuar Ukrainën. Ai e dinte që varshmëria e Evropës në naftën dhe gazin rus do t’i bënte shtetet si Gjermania të hezitojnë për vënien e sanksioneve të ashpra. Bazuar në këto fakte të njohura, plani i tij ishte që ta godiste Ukrainën fort dhe furishëm, ta ndukte qeverinë e saj, ta vendoste një regjim kukull në Kiev, dhe t’u shpëtonte sanksioneve të Perëndimit.
Por ishte një fakt i madh i panjohur mbi këtë plan. Siç amerikanët kishin mësuar në Irak e sovjetikët në Afganistan, është më lehtë ta pushtosh një shtet se sa ta mbash atë. Putini e dinte që e kishte fuqinë për ta pushtuar Ukrainën. Por a do t pranonin ukrainasit një regjim kukull të Moskës? Putini vuri bast se ata do të mundnin. Tek e fundit, ai vetë në mënyrë të përsëritur ua shpjegonte të gjithë atyre që donin të dëgjonin se Ukraina s’ishte një komb i vërtetë, dhe që ukrainasit nuk ishin njerëz të vërtetë. Më 2014, njerëzit në Krime pothuajse fare nuk u rezistuan pushtuesve rusë. Pse 2022-ta do të ngjante ndryshe?
Pas secilës ditë që po kalon, po bëhet më e qartë që bixhozi i Putinit po dështon. Populli ukrainas po reziston me krejt zemrën e vet, po fiton admirim nëpër të gjithë botën – dhe po e fiton luftën. Shumë ditë të errëta pritet të vijnë. Rusët mund të mos e kenë pushtuar ende tërë Ukrainën. Por që rusët ta fitojnë luftën, ata duhet që ta mbajnë Ukrainën, dhe ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse populli ukrainas i lejon. Dhe kjo duket gjithnjë e më pak e mundur që të ndodhë.
Secili tank ruse i shkatërruar dhe secili ushtar i vrarë rus rrit kurajën e ukrainasve për të rezistuar. Dhe secili ukrainas i vrarë e thellon urrejtjen e ukrainasve ndaj pushtuesit .Urrejtja është emocioni më i shëmtuar. Por për kombet e shtypura, urrejtja është thesar i fshehur. E varrosur thellë në zemër, ajo mund ta ruajë rezistencën për gjenerata. Për ta rikrijuar perandorinë ruse, Putini ka nevoje për një fitore relativisht të papërgjakshme që do të çonte në një okupim relativisht pa urrejtje. Por duke derdhur shumë e më shumë gjak ukrainas, Putini po sigurohet që ëndrra e tij nuk do të realizohet kurrë. Nuk do të jetë emri i Mihail Gorbaçovit ai që do të shkruhet në certifikatën e vdekjes së perandorisë ruse: do të jetë ai i Putinit. Gorbaçovi i la rusët dhe ukrainasit të ndihen sikur janë vëllezër; Putini i ka shndërruar në armiq, dhe është siguruar që kombi ukrainas do t’i vihet kundër Rusisë.
Kombet përfundimisht ndërtohen nga tregimet. Secila ditë që kalon shton tregime që ukrainasit do t’i tregojnë jo vetëm në ditët e errëta që po vijnë, por edhe në dekadat dhe gjeneratave që do të vijnë. Presidenti i cili refuzoi që të ikë nga kryeqyteti, duke i thënë ShBA-së që ka nevojë për municion, e jo për fluturim; ushtarët nga Ishulli i Gjarprir që i thanë luftanijes ruse që “të shkojë të q****”; civilët që tentuan t’i ndalin tanket ruse duke ua zënë rrugën. Kjo është ajo prej së cilës ndërtohen kombet. Në afat të gjatë, këto tregime vlejnë më shumë se sa tanket.
Despoti rus duhet ta dijë këtë më mirë se kushdo tjetër. Si fëmijë, ai qe rritur në një dietë me tregime për horronin e gjermanëve dhe për guximin e rusëve në rrethimin e Leningardit. Ai tani po krijon tregime të ngjashme, por po e vendos veten në rolin e Hitlerit.
Tregimet e guximit ukrainas u sjellin zgjidhje jo vetëm ukrainasve, por krejt botës. Ata u japin kurajë qeverive të shteteve evropiane, administratës amerikane, e madje edhe qytetarëve të shtypur rusë. Nëse ukrainasit guxojnë ta ndalin një tanke me disa predha anti-tanke, atëherë qeveria amerikane mund të guxojë që ta largojë Rusinë nga Swift-it, dhe qytetarët rusë mund të guxojnë që ta shfaqin kundërshtimin e tyre ndaj kësaj lufte të pakuptimtë.
Ne të gjithë mund të frymëzohemi që të bëjmë diçka, qoftë nëse bëjmë donacion, qoftë nëse pranojmë refugjatë, ose nëse ndihmojmë online. Lufta në Ukrainë do ta formojë të ardhmen e të gjithë botës. Nëse tirania dhe agresioni lejohen të triumfojnë, atëherë ne të gjithë do t’i vuajmë pasojat. Nuk ka kuptim që të mbesim vetëm spektatorë. Është koha që të çohemi dhe të vlejmë.
Fatkeqësisht, kjo luftë pritet të zgjasë gjatë. Duke marrë forma të ndryshme, mund të zgjasë edhe për vite të tëra. Por problemi më i rëndësishëm tashmë është vendosur. Ditët e fundit ia kanë dëshmuar tërë botës që Ukraina është një komb shumë i vërtetë, dhe që ukrainasit janë njerëz shumë të vërtetë, dhe se ata definitivisht nuk duan që të jetojnë nën perandorinë e re ruse. Pyetja kryesore që ka mbetur hapur është se sa gjatë do të duhet që ky mesazh të depërtojë në muret e trasha të Kremlinit.
Opinion nga historiani Yuval Noah Harari për The Guardian, përkthyer nga Klankosova.tv.