Profesori i gazetarisë dhe publicisti Milazim Krasniqi e ka quajtur Lëvizjen Vetëvendosje si një projekt destruktiv që ka tentativa për me e dështu shtetin e Kosovës.
Këto komente Krasniqi i ka bërë gjatë emisionit Komiteti të Gazetës Express që transmetohet në RTV Dukagjini, kur është pyetur për zgjedhjet në Maqedoni dhe konkretisht për Lëvizjen Besa.
Krasniqi ka thënë se drejtuesit e kësaj lëvizje i ka miq të mirë, dhe se iu ka sugjeruar që të mos kenë asnjë lloj bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai e ka arsyetuar qëndrimin e tij duke thënë se Vetëvendosje “është projekt destruktiv, i mjaftueshëm për t’i dhënë zavalle Kosovës, dhe nuk ka pse ky zavall i joni të bartet në Maqedoni.”
Për më tepër, ai ka thënë se VV ka pasur tendenca që ta marrë nën kontroll këtë lëvizje, dhe pranon se ka qenë ai që ka ndaluar një gjë të tillë.
“Mesazhi im i qartë ka qenë që bëni çfarë të bëni, një gjë mos e bëni: me Vetëvendosjen mos bashkëpunoni”, ka thënë ai.
“Mendoj se do të ishte vetëvrasje politike e tyre po të krijonin çfarëdo forme të bashkëpunimit me Vetëvendosjen për shkak se ata që kanë sy me pa e shohin se çfarë destruksioni ka prodhuar kjo lëvizje në Kosovë”, ka shtuar Krasniqi.
“Sepse, duke bë tentativa permanente për me dështu shtetin e Kosovës, unë personalisht mendoj që mund të kenë qëllime të tjera por që në fund krejt kjo u konvenon armiqve të Kosovës dhe jo Kosovës.”/Insajderi.com