
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e ekstradimit nga Dubai të personazhit të njohur të Tik-Tok Kleviol Ahmeti, i njohur me pseudonimin Cllevio.
Policia thotë se 39-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij. R.R është reperi shqiptar i njohur si Noizy.
Gjithashtu, 39-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Njoftimi:
Ekstradohet nga Dubai në Shqipëri, një 39-vjeçar i kërkuar nga autoritetet në Tiranë dhe në Fier, për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë.
Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qendruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit “The Wanted”, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.