
Policia ka publikuar pamjet nga momenti kur aktori Alec Baldwin e qëlloi aksidentalisht për vdekje kameramanen Halyna Hutchins. Sherifi i Santa Fe, Adan Mendoza postoi gjithashtu foto të skenës së krimit dhe intervista me dëshmitarë, përfshirë atë me aktorin Alec Baldwin.
Por policia tha se vendimi nëse do të depozitohej ankesë penale do të varet nga rezultati i analizës së radhës mjeko-ligjore.
Baldwin e qëlloi për vdekje kameramanen Halyna Hutchins, 42 vjeçe, ndërsa tha se po stërvitej me një armë që besonte se ishte e sigurt. Aktori, i cili ishte edhe producent i filmit, tha më herët se nuk e ka tërhequr këmbëzën dhe se nuk e ka idenë se si shkrepi arma.
Pamjet e publikuara sot tregojnë policinë dhe ambulancat që kishin shkuar në vendngjarje. Në pamje të tjera, Baldwin shfaqet i veshur si kauboj duke ushtruar me armë.