Publikohen pamjet e aksidentit tragjik me Jet Ski në Durrës - Insajderi
×
  • Lajme
  • Shqipëri/Rajon

    Publikohen pamjet e aksidentit tragjik me Jet Ski në Durrës

    Insajderi
    02 June 2025 - 21:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Janë publikuar pamjet e ngjarjes së ndodhur paraditen e së dielës kur dy turistë anglezë u aksidentuan me Jet Ski.

    Siç duket në këtë video të siguruar nga Tv Klan, dy turistët anglezë presin të nisen me Jet Ski. Pasi ndihmohen nga punonjësi i pikës së dhënies me qira të mjeteve, ata nisën në orën 09:41.

    Gjatë kësaj kohe miqtë e tyre, i filmojnë me telefon, për të dokumentuar xhiron e tyre në det.

    Teksa dy turistët anglezë lundrojnë në det, dy efektivë të policisë kufitare paraqiten pranë biznesit për të kontrolluar dokumentacionin.

    Tetë minuta pasi nisën nga bregu i detit, viktima Sylvester Obeng, i cili ishte drejtuesi i mjetit kreu një manovër me shpejtësi e për pasojë humbi kontrollin e mjetit duke përfunduar poshtë tij, ndërsa partnerja e tij në det të hapur.

    Kjo skenë siç duket në pamje pikaset nga miku i tyre në breg të detit i cili lajmëron pronarin e biznesit dhe efektivët e policisë. Këta të fundit lajmërojnë në radio patrullën që ndodhej në det duke kryer kontrolle.

    Mjeti lundrues i policisë kufitare niset me shpejtësi, por arrin 1 minutë më vonë pranë dy turistëve anglezë.

    Ata përpiqen tu japin ndihmën e shpejtë, por 34-vjeçari nuk ia doli të mbijetojë. E gjithë dinamika e aksidentit, u deklarua në polici nga partnerja e viktimës e cila i tha bluve se morën me qira mjetin dhe nuk iu kërkua as patentë dhe as iu dha skafandër.

    Por mungesa e patentës dhe kokores për policinë janë shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë nga pronari i biznesit, 56-vjeçari Luiz Xhumari, i cili këtë të hënë u vu në pranga.

    Sipas bluve të Durrësit, ai u ka dhënë me qira Jet Ski-në dy turistëve pa i pajisur ata me skafandër mbrojtëse, por vetëm me jelek shpëtimi.

    Gjithashtu nga ana policisë është pezulluar dhe aktiviteti i subjektit.

    Për sqarimin e plotë të ngjarjes policia po kryen verifikime edhe ndaj dy shtetasve anglezë, për të parë nëse kanë qenë nën efektin e alkoolit ndonëse deri më tani nuk ka të dhëna të tilla.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark