
Në kuadër të aktiviteteve për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po përkujtohen aktet heroike të UÇK-së, me një fokus të veçantë në Prekaz.
Në lidhje me këtë Adnan Merovcin, një bashkëpunëtor i Rugovës, i mundësoi një video Euronews Albania ku Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, bënte thirrje për ndërprerjen e sulmeve serbe ndaj popullatës civile në Kosovë.
Përmbajtja e videos është nga një konferencë shtypi ku Rugova apelonte për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar.
“Sulmi i djeshëm i forcave serbe në Drenicë ndaj popullatës civile shkaktoi rreth 20 viktima të tjera. Sipas informacioneve të fundit, sulmet vazhdojnë në fshatin Prekaz. Kjo është një tjetër masakër e kryer mbi popullsinë civile të Kosovës. Sulmet ndaj Drenicës janë pjesë e një programi të spastrimit etnik të Kosovës. Kërkojmë ndërprerjen urgjente të këtyre sulmeve dhe bëjmë thirrje për SHBA dhe BE që të ndërmarrin hapa të shpejtë për të ndihmuar në këtë situatë. Përsërisim apelin drejtuar Presidentit Clinton dhe Kryeministrit Blair, që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shpëtuar popullin e Kosovës”, thoshte Rugova në apel, duke përsëritur kërkesën për ndërhyrjen e liderëve ndërkombëtarë.