Pas njoftimi të Sindikatës së Policisë së Kosovës për shkarkimin e kryetarit, Imer Zeqirit, ka reaguar ky i fundit i cili është njoftuar përmes mediave për shkarkimin e tij nga kjo pozitë, shkruan Gazeta Insajderi.
Përmes një reagimi në Facebook, Zeqiri e ka quajtur “puç” vendimin e sotëm të sindikatës.
“Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç” të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj”, shkraun në reagim Zeqiri.
Tutje, ai thotë se në njoftim nuk është dhënë asnjë arsye e shkarkimit të tij.
‘E lexova komunikatën e lëshuar dhe është e habitshme se si në të nuk janë përmendur arsyet se pse është vendosur për shkarkimin tim. Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike? “, vijon statusi i Zeqirit.
/Insajderi.org/
Njoftimi i plote:
Komunikatë për media
Sot më datë 19.05.2024, unë si Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, nga mediat kuptova se është mbajtur takim i Kuvendit të Përgjithshëm të kësaj sindikate ku qenka vendosur për shkarkimin tim.
Unë nuk kam qenë i njoftuar për një takim të tillë, i bërë qëllimisht për të pamundësuar pjesëmarrjen time, dhe si i tillë është në kundërshtim me Statutin, si akti më i lartë juridik i Sindikatës së Policisë së Kosovës si dhe në kundërshtim me parimet etike e fisnike për një strukturë të tillë.
Më vjen keq që Sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë.
E lexova komunikatën e lëshuar dhe është e habitshme se si në të nuk janë përmendur arsyet se pse është vendosur për shkarkimin tim. Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike?
Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi. Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?!
Në një proces të rregullt me prezencën time, do ta pranoja çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së. Por, jo kështu pas shpine. Takimet e thirrura në kundërshtim me Statutin dhe vendimet që dalin prej tyre janë të pazbatueshme.
Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj.
Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim.
I falënderoj anëtarët e sindikatës dhe pjesëtarët e policisë për shumë mesazhe e thirrje përkrahëse që më kanë bërë këto ditë.
Me respekt, Imer Zeqiri
Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës