Në një kënd thuajse të fshehur ku planifikohet ndërtimi i një strehe për qentë endacakë në lindje të Stambollit, ndodhet një vend i groposur rishtazi. Aty do të varrosen “tradhtarët” që morën pjesë në puçin ushtarak në Turqi të para rreth dy javëve.
Vetëm pak ditë pas asaj ngjarje, autoritetet lokale njoftuan se planifikon që të bëjë varreza të veçanta për njerëzit që vdiqën gjatë puçit.
Autoritetet “do të rezervojnë një vend dhe do ta quajnë varrezat e tradhtarëve.” Kalimtarët që do të kenë rastin të ndodhen pranë do të mallkojnë ata, ka thënë kryetari i Stambollit, Kadir Topbas, njofton The Guardian.
“Çdo kalimtar le t’i mallkojë e mos t’i lërë të pushojnë në varret e tyre”, ka thënë ai.
Krijimi i këtij lokacioni për varreza vjen në kohën kur presidenti turk Erdogan është duke zhvilluar një aksion të gjerë ndaj të gjithë atyre që dyshohen se kanë marrë pjesë në puc apo kanë përkrahur atë.
Andrew Gardner, hulumtues në Turqi për Amensty International, ka thënë se një lëvizje e tillë vetëm sa do të kontribuoj në tensionimin e situatës.
Në ndërkohë, ndërtimet për këto varreza është duke u bërë me shpejtësi. Njeriu i parë që është varrosur aty ka qenë Mehmet Karabekir, një ushtarak 34 vjecar./Insajderi.com