Izedin Bytyqi përgjatë së martës është arrestuar pranë objektit të ministrisë ku ai shërben si sekretar i përgjithshëm. Bytyqit përgjatë bastisjes së shtëpisë iu është gjetur edhe një armë pa leje. Zyrtari i lartë në ministrinë e Liburn Aliut po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Bytyqi identifikohet si “kuadro e LDK’së” nga e kaluara. Kjo, pasi që kishte asistuar në punësimin e resë së ish-kryeministrit Isa Mustafa.
Bytyqit në shtëpinë e tij përgjatë operacionit policia në bashkëpunim me prokurorinë ia gjeti një revole me dy karikatorë. Po ashtu edhe dhjetëra fishekë, shkruan Insajderi.
“I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.F. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare””, u tha në njoftimin e përbashkët të policisë dhe të prokurorisë.
Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse “hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal”.
Policia e Prokuroria kanë njoftuar se për këtë rast është lëshuar edhe urdhër përkohshëm i ndalimit për gjashtë banesa në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, pa njoftuar se kush është pronari i tyre.
Insajderi raportoi gjatë ditës se rkejt ky operacion është bërë në kuadër të dyshimeve lidhur me faljen e borxheve të kompanive për ambalazhimin e ujit.
Kush është Izedin Bytyqi, kuadroja e LDK’së që u armatos në pushtetin e Kurtit?
Bytyqi vlerësohet si person i afërt me Besnik Mustafën, djalin e ish-kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës.
Ai besohet të ketë pasur “gisht” në emërimin e gruas së Mustafës, Edita Bajramit, në njërën nga ministritë ku ky shërbente si sekretar i përgjithshëm. Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku Bajrami u angazhu si eksperte në rishikimin e Strategjisë Sektoriale.
Angazhimin e resë së ish-kryeministrit Mustafa e pati konfirmuar vetë Izedin Bytyqi. Ai pati thënë se Bajrami ishte angazhuar në kuadër të një projekti që, sipas tij, Ministria e pati ndërmarrë në bashkëpunim me Komisionin Evropian për rishikimin e një strategjie të ministrisë.
Bytyqi që në dy mandate kishte shërbyer si sekretar në ministritë e udhëhequra nga LDK-ja nuk e kishte deklaruar pasurinë në vitin 2011, derisa ishte udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Bytyqi po ashtu akuzohet për përfshirje në rastin e keqpërdorimeve të dyshuara në një tender disa milionësh për rrugën Prizren-Prevallë.
Ai para katër vitesh ishte shkarkuar nga Arban Abrashi, atëkohë ministër i Infrastrukturës. Bazuar në atë vendim, Abrashi kishte obliguar Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm që sekretari i shkarkuar të sistemohej në pozitën “drejtor departamenti” në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës.
Bytyqi më pas ishte kthyer në këtë pozitë përgjatë këtij viti, nën Qeverinë Kurti.
“Izedin Bytyqi, zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, caktohet zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. I emëruari nga pika 1 e këtij vendimi ushtron përgjegjësitë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës sipas dispozitave ligjore të parapara në ligjin nr.06/L-113 për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura si dhe dispozitave të tjera ligjore përkatëse në fuqi”, thuhej në vendimin e nënshkruar nga ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, që mban datën 7 qershor të këtij viti.
Akterë të pushtetit e kanë quajtur këtë operacion bastisjeje të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës si “film”. /Insajderi.org/