×
  • Lajme
  • Analiza

    Punëtorë të rivalit të Vis Martinajt, miliona euro fitime ilegale- ky është dënimi që gjykata mori për grupin e bixhozit

    Insajderi
    23 April 2024 - 17:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj bashkëpunëtorëve të rivalit të Elvis Martinajt, Ardit Krajës. Nëntë të akuzuar për bixhoz të paligjshëm dhe shpëlarje parash u dënuan me pesë vite e 20 ditë burgim dhe 46,100 euro gjobë, pas marrëveshjes për pranuim fajësie me Prokurorinë Speciale.

    Siç raporton ‘Betimi për Drejtësi’, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve: Gasper Kaqinari, Skerdi Fero, Lulzim Paqarada, Taulant Palushi, Fisnik Sadrija, Jozef Gjini, Rrezarta Miftaraj-Beqiri, Dardan Arifi dhe Boban Stevanoviq, lidhur me akuzën se në bashkëkryerje kanë organizuar lojëra të fatit – bastore online.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Gasper Kaqinari për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, në mënyrë komulative, si dhe dënim me 2 mijë euro gjobë.

    Kurse, për veprën penale “Shpëlarja e parave”, u dënua me 4 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 8 muaj burgim dhe 3 mijë e 500 euro gjobë.

    Po ashtu gjykatësi Hoti, tha se pasi që Gjykata ka shpallur aktgjykim jashtë kufijve të marrëveshjes, i akuzuari mund të paraqesë ankesë për vendimin mbi dënimin.

    I akuzuari Skerdi Fero për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 7 muaj burgim dhe 5 mijë e 500 euro gjobë. Për veprën penale “Shpëlarja e parave”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 900 euro gjobë, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 200 euro gjobë.

    Sikurse ishte përcaktuar në marrëveshje, ndaj Feros u shpall dënim unik prej 10 muaj e 20 ditë burgim dhe 7 mijë e 300 euro gjobë.

    Më tej, të akuzuarit Lulzim Paqarada për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim”, iu shqiptua dënim me 6 muaj burgim, të cilin dënim mund ta zëvendësojë me gjobë, sipas ligjit, si dhe u dënua me 5 mijë euro gjobë.

    Kurse, i akuzuari Fisnik Sadrija për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim”, u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa për armëmbajtje pa leje 500 euro gjobë.

    Sipas marrëveshjes për pranim fajësie, ndaj Sadrijajt u shpall dënim unik me 6 muaj burgim, të cilin mund ta zëvendësojë me gjobë dhe 5 mijë e 300 euro gjobë.

    I akuzuari Taulant Palushi për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

    I akuzuari Boban Stevanoviq për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

    Edhe i akuzuari Dardan Arifi për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

    Njësoj sikurse të tre të lartpërmendurit, e akuzuara Rrezarta Miftaraj-Beqiri për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, e njëjta mund ta zëvendësojë me gjobë.

    Po ashtu, i akuzuari Jozef Gjini për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në vazhdim” u dënua me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Dënimin me burgim, i njëjti mund ta zëvendësojë me gjobë.

    Gjykatësi Hoti tha se në dënimin e shqiptuar, të gjithë të pandehurve do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

    Gjithashtu, gjykatësi theksoi se të pandehurit Kaqinari i janë konfiskuar në mënyrë të përhershme të hollat në xhirollogari, kurse konform marrëveshjes, të njëjtit i kthehet në pronësi garazhi prej 17 metra katrorë.

    Kurse, të akuzuarve Sadija dhe Fero, gjykatësi Hoti tha se iu konfiskohen në mënyrë të përhershme armët e konfiskuara nga Policia e Kosovës.

    Për tre muaj 5.6 milionë euro humbje shtetit- Si funksiononte grupi i bixhozit ilegal në Prishtinë

    Për më pak se tre muaj një grup i organizuar i bixhozit ilegal, sipas Prokurorisë i kishte shkaktuar dëm shoqërisë kosovare mbi 5.6 milionë euro. Kishte krijuar për këtë periudhë të shkurtër fitime mbi 940 mijë euro. Insajderi publikoi detaje nga dosja se si funksiononte ky grup, që mbante një zyrë gati publike në Kryeqytet.

    Policia e Kosovës kishte marrë një informacion se një grup njerëzish për javë të tëra po takoheshin bashkë në një zyrë në Prishtinë. Siç raportonte Insajderi vitin që shkoi, krejt në fillim hetuesit nuk e kishin krejt të qartë se për çka po takohej grupi, por një hetim paraprak nisi.

    Mëngjesin e 24 marsit të vitit 2021 ata morën lejen, dhënë vetëm gojarisht, nga një gjykatës i procedurës paraprake që të hynin në këtë pronë.

    Hetimi pastaj do të zbulonte që qëllimi i takimeve të tyre ishte koordinimi i bixhozit ilegal që kishte filluar të lulëzonte fill pasi që në Republikën e Kosovës u bë çdo formë bixhozi e ndaluar.

    Atë ditë, pranga do t’iu viheshin Skerdi Feros, Sokol Stafajt, Alban Petit, Lulzim Paqaradës, Fidan Hoxhës, Gasper Kaçinarit, Jozef Gjinit, Fisnik Sadrijat, Flakron Kurteshit e Rrezarta Miftarajt.

    Dosja e Prokurorisë zbulonte se grupi për një periudhë relativisht të shkurtër më pak se tremujore, nga janari e deri te gjysma e marsit 2021 kishin qarkulluar aq shumë para me bixhoz ilegal sa shifrat ishin milionëshe.

    “…vetëm për janar, shkurt dhe 15 ditë të muajit mars të vitit 2021, humbja e shkaktuar shoqërisë kosovare nga kjo vepër penale kapin shumen prej 5,668,584.08 €, ndërsa fitimi i organizatoreve ka qenë 947,724.65 €”, kështu e përshkruan Prokurorja e rastit, Merita Bina-Rogova këtë grup.

    Si funksiononte grupi i bixhozit?

    Grupi, sipas Prokurorisë kishte role e detyra të ndara në hierarki. Dikush në regjione brenda Republikës së Kosovës, e dikush koordinim me Republikën e Shqipërisë.

    I pandehuri Sokol Stafa, sipas Prokurorisë ka punuar si koordinator i lojërave të fatit Kosovë – Shqipëri. Gaspër Kaçinari si drejtor në këtë grup. Rrezarta Miftaraj si arkëtare. I pandehuri Skerdi Fero si menaxher kryesor, ndërsa të pandehurit Alban Peti, Lulzim Paqarada, Fidan Hoxha, Fisnik Sadija, Jozef Gjini, Flakron Kurteshi, Dardan Arifi, Boban Stevanoviq e Taulant Palushi kishin rolet e menaxherëve regjional brenda organizatës që po merrje me bixhoz ilegal.

    Edhe pse pas hetimeve Prokuroria nuk e ndiqte më pistën e hetimit “krim i organizuar”, në aktakuzë konstatonte se të akuzuarit në këtë rast dikur kanë punuar për bastoret e shtetasit të Shqipërisë, Ardit Kraja, dhe pas muajit prill 2019 kur në Kosovë bixhozi “thjeshtë kanë vazhduar me aktivitete e njëjta”, konstaton Prokuroria.

    “Me rastin e kontrollit në lokalet e bastores, në Prishtinë, rruga “Venet Bajrami” me dt. 24.03.2021 janë sekuestruar shume pajisje elektronike, telefonat, kompjuterët, si dhe incizimet e kamerave të sigurisë në atë banesë e cila është përdorur si zyrë për këtë grup kriminal”, thuhet në aktakuzë.

    Prokuroria thuhet se i lidh të akuzuarit me vet incizimet e tyre në banesën që po e përdoronin si zyrë të bastores ilegale.

    “Ne banesën e lartcekur, në Prishtinë, të cilën të pandehurit e kane përdorur si seli të bastoreve online, kanë qenë të vendosura kamerat, ashtu që incizimet e tyre paraqesin prova shumë të rëndësishme. Në periudhën kohore nga 06.03.2021 deri më 24. 03.2021 në këto hapësira shihen të gjithë të pandehurit dhe në mënyrë të pamohueshme sqarohet roli i secilit prej tyre brenda grupit”, konstatohej në dosje.

    Në zyrë rregullisht shihej Rrezarta Miftaraj, e cila merrej me financa dhe konsiderohet si arkëtarja e grupit.

    “…pranon të hollat nga “menaxheret”, e mbanë kontabilitetin dhe kryen barazime me të pandehurit e tjerë”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas dosjes, në këto incizime shihen të gjithë të pandehurit si dhe disa persona tjerë, të paidentifikuar, të cilët vijnë që të dorëzojnë apo te marrin parat nga Miftaraj.

    “E njëjta i numëron të hollat me aparat për numërimin e monedhave, i evidenton në një paragon, dhe i fut në kasafortë, apo iu dorëzon të pandehurve. Jo vetëm nga incizimet e video kamerave, por edhe nga i gjithë dokumentacioni i sekuestruar nga te pandehurit, vërtetohet se e pandehura Miftaraj në këtë grup ka punuar si arkëtare. Për muajin janar për këtë pune e ka marr pagën prej 700 € dhe kjo dëshmohet me listën e shpenzimeve të bastorës”, thuhej në aktakuzë.

    Sipas Prokurorisë, Sokol Stafa që konsiderohej si koordinator i bastores mes Kosovës e Shqipërisë, në incizime del që kur hyn në këtë zyrë të improvizuar të bastores kontrollon dokumentet e “arkëtares”, nënshkruan dokumente, kontrollon paragonat e madje merr edhe para nga ajo.

    Në disa incizime shihet edhe si “shefi” që hyn e aktivizon alarmin dhe kur del e çaktivizon atë.

    Ai kishte pranuar, ose dorëzuar shuma parash që shkonin deri në 6 mijë uro, por në një dokument që Prokuroria e prezantonte, dilte që paga e tij në dhjetor 2020, ka qenë një mijë euro.

    Ardit Kraja, rivali i Elvis Martinajt u arrestua para një muaji

    Kraja kërkohej nga dy gjykata në Kosovë, ajo e Prizrenit dhe e Mitrovicës.

    Gazeta Insajderi nga burime të afërta me hetimin që po kryhet kundër Ardi Krajës kishte mësuar se i njëjti ka një rast të ngritur në Suharekë, ku dyshohet se kreu veprimtari ilegale “organizim i jashtëligjshëm i bixhozit”, që bie në përgjegjësi të Gjykatës së Prizrenit, dhe një rast në Mitrovicë që bie nën përgjegjësinë respektive të Gjykatës Themelore në këtë qytet. Për të dyja rastet ka pasur urdhër kundër Krajës nga të dyja gjykatat.

    Këto burime i kanë thënë Insajderit se Ardit Kraja, tek shtetasit e Kosovës, por jo vetë, e jepte programin online, duke përfshirë linkun dhe kodet e operimit, dhe madje edhe investonte në bizneset e tyre. I njëjti, punëtorët e këtij krimin në Kosovë do ti merrte në përgjegjësi në rast humbjeve- pra nëse një lojtar fitonte, humbjen e merrte përsipër Kraja, derisa në rast se lojtarët humbisni, 60 përqind të fitimit e merrte Kraja.

    Sipas këtyre burimeve, ky ka qenë njëri prej ofruesve të këtij shërbimi për bixhoz në Kosovë, i cili tash e disa vite është kompelt i paligjshëm në vend, derisa nuk ka qenë i vetmi- ka edhe ofrues të tjerë të programit, linkut e kodeve për lojtarët e bixhozit në Kosovë që e bëjnë këtë veprimtari online.

    Ardit Kraja, në kohën kur lojërat e fatit ishin ende të ligjshme, konsiderohej se ishte biznesmeni më i suksesshëm i basteve në Republikën e Shqipërisë me kompaninë e tij “Fair play bast”.

    Por me fryrjen në para të Krajës, lakmia e kundërshtarëve të tjerë të lojërave të fatit u rrit, për kontroll dhe pushtet në zonat e tyre, e kryesisht atë të Shkodrës nga ku e ka origjinën dhe biznesmeni.

    Vite më parë në luftën për kontroll dhe territorit sa i përket lojërave të fatit, siç raportojnë mediat shqiptare. biznesmeni Kraja u kërcënua nga Ervis Martinaj, dhe pretendohet se u detyrua të fshihej për rreth një muaj nga frika për një kanosje të mundshme, që i solli humbjen e pothuajse të gjitha pikave të basteve në qytetin verior, Shkodrën.

    36-vjeçar kur u zhduk, dhe u raportua madje edhe i vrarë, Ervis Martinaj ishte njëri nga emrat e njohur të botës së krimit në Tiranë, dhe jo vetëm. Emri i tij është lakuar shpesh pas vitit 2013. Ai u denoncua për kanosje nga një komandant i forcave “Shqiponja” të Policisë së Shtetit në Tiranë. Pas denoncimit, ai u shpall në kërkim. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark