Punëtorët e "Pastrimit" pa paga, kush nga partitë e dështoi mbledhjen ku pritej subvencionimi i pagave të tyre nga Kryeqyteti - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Punëtorët e “Pastrimit” pa paga, kush nga partitë e dështoi mbledhjen ku pritej subvencionimi i pagave të tyre nga Kryeqyteti

    Insajderi
    13 May 2025 - 14:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Siç ka raportuar Gazeta Insajderi, punëtorët e kompanisë “Pastrimi” kanë mbetur pa paga.

    Kuvendi Komunal i Prishtinës sot u mblodh, në një seancë të jashtëzakonshme, e pika 7 e takimit ishte subvencionimi i pagave të tyre. Por, mbledhja dështoi. PDK-ja e Vetëvendosje dolën jashtë.

    Asamblistja e LDK-së, Fiknete Bejta tha se këto dy parti janë fajtore për bllokimin.

    Sipas saj PDK po e mban peng këtë ndërmarrjeje.

    “Po ndihem shumë keq me papërgjegjshmërinë e opozitës VV-së dhe PDK-së. PDK ka marrë një ndërmarrje peng, dhe është përgjegjëse për dështimin e kësaj ndërmarrje. Sot ku është dashtë të votohet për pagat e tyre, bllokohet seanca”, tha ajo në seancë.

    Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” është duke u përballur me gjendje alarmante. Pa paga për punëtorët, e pa naftë për kamionët e kompanisë.

    Siç raportoi Gazeta Insajderi, punëtorëve të KRM “Pastrimi”, nuk iu kanë dal ende pagat.

    Jo vetëm, kjo kompani është duke u përballur edhe me mungesë të naftës për kamionët.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar KRM “Pastrimi”, për të marrë një përgjigje rreth kësaj situate, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

    Nga ana tjetër, gjendja me mbeturinat në kryeqytet është e rëndë.

    Sipas pamjeve që qytetarët kanë dërguar në redaksinë e Insajderit, shihet se janë grumbulluar sasi të mëdha mbeturinash, duke krijuar një situatë të rënduar.

    Javën e kaluar, KRM “Pastrimi” kishte njoftuar se Komuna e Prishtinës nuk ka paguar asnjë cent për shërbimet e grumbullimit të mbeturinave, duke krijuar një borxh prej mbi 2.7 milionë eurosh.

    Në njoftim thuhet se për shkak të mos pagesës, ndërmarrja nuk po arrin të sigurojë naftë për automjetet e saj dhe paralajmëron ndërprerje të shërbimit.

    Sipas njoftimit, komuna ka mbledhur rreth 600 mijë euro nga qytetarët por nuk i ka transferuar tek KRM “Pastrimi”, duke bllokuar funksionimin e saj. Ndërmarrja thotë se shëndeti publik është në rrezik dhe fajëson kryetarin Përparim Rama për injorim dhe lojëra politike.

    Sipas saj, shërbimi do të vazhdojë vetëm për aq kohë sa ka naftë në rezervarë.

    KRM “Pastrimi”: Komuna e Prishtinës me borxh 2.7 milionë euro – rrezikohet pastrimi i qytetit


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark