
Punëtorët e ndërmarrjes publike të Postës pritet që nesër të protestojnë para selisë së Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pasi që kjo e fundit nuk po e nënshkruan marrëveshjen për shpërndarjen e ndihmave sociale.
Protestën e ka paralajmëruar Shoqata e Punëtorëve të Postës së Kosovës, sipas të cilëve protesta do të mbahet duke filluar nga ora 11:30.
Përmes një komunikatë për media, ata njoftojnë se nuk do të ndalin protestat deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Siç e dini para një viti Posta e Kosovës dhe MPMS janë pajtuar që të nënshkruajnë marrëveshje me të cilën Posta merr përsipër shpërndarjen e Skemave Sociale (ndihmave sociale) në rreth 160 zyra postare, anekënd territorit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“Kjo ministri ka bërë diskriminimin dhe shkeljet më të mëdha ligjore ndaj Postës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Shoqatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë./Insajderi.com