Punëtorët e Postës së Kosovës të hënën do të fillojnë një protestë dhe greëvë para zyreve të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të këtij komisioni, Valon Prestreshi.
Sipas punëtorëve të Postës, Prestreshi me ndihmën e dy nga pesë anëtarët e KAAKK “ka nxjerrë një vendim të padrejtë dhe të paligjshëm, që dëmton financiarisht mbi 1000 punëtorë dhe mbi 1000 familje, për interesa të 3-4 kompanive private”.
“Ai ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna e Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës, që të mbyllin 43 zyra postare të Postës së Kosovës, të cilat ofrojnë shërbimin e pagesave në këto institucione”, thuhet në njoftimin për media të punëotrëve të Postës.
Posta ka deponuar padi në Gjykatë kundër vendimit të KAKK-së së Valon Prestreshit dhe sipas ligjit, deri në verdiktin e Gjykatës, nuk mund të zbatohet ky vendim absurd as nga MPB, as nga Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së Lulzim Ejupi, apo komunat me të cilat kemi marrëveshje bashkëpunimi. Zbatimi i marrëveshjes së paligjshme përbën vepër penale., thuhet tutje në njoftim.
“Ne do të kërkojmë edhe nga Policia dhe Prokuroria, që të hetojë prapavijën e marrjes së një vendimi të tillë nga KAKK, vendim që dëmton rëndë interesat e ndërmarrjes publike, pronë e shtetit dhe popullit të Kosovës, për interesa të bizneseve private”.
Ata thonë se protesta dhe greva nuk do të ndalen deri në shkarkimin e Prestreshit.
“Nuk do të ndalemi, përderisa përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Kosovës, të deklarohen se a janë në shërbim të 3-4 individëve apo të ndërmarrjes publike, pronë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Po ashtu, do të deponojmë në Kuvendin e Kosovës, peticionin e nënshkruar nga të gjithë punëtorët e Postës, me të cilin kërkojmë shkarkimin e anëtarëve aktuale të KAKK-së.”/Insajderi.com