Paundi ka rënë me 14% kundrejt dollarit amerikan dhe me 11% ndaj euros, që nga momenti kur Mbretëria e Bashkuar votoi për të lënë Bashkimin Europian. Një paund këmbëhej me 1.50 dollarë më 23 qershor, ditën e referendumit, ndërsa tani këmbehet me më pak se 1.29 dollarë, një nivel rekord në 31 vitet e fundit.
Kjo situatë paraqitet e e trazuar për tregjet financiare globale, por nga ana tjetër është një lajm i mirë për turistët që duan të vizitojnë Anglinë këtë vit.
Një shembull i mirë është hoteli luksoz i Londrës, “Langham”. Një natë në këtë hotel me 5 yje para referendumit kushtonte 450 dollarë. Po tani? Vetëm 387 dollarë.
“Buckingham Palace”, ku jeton Mbretëresha Elizabeth në pjesën më të madhe të vitit, ka hapur dyert për publikun gjatë verës. Një destinacion i përsosur turistik. Dy bileta për të vizituar pallatin, dhomën e saj, sallën mbretërore dhe galerinë e mbretëreshës kushtojnë 95 dollarë. Dy javë më parë, çmimi i kësaj vizite shkonte në 111 dollarë.
Të ecësh në Londër është bukur, por kur fillon shiu është mirë të marrësh një taksi. Një udhëtim në qendër, në një prej kabinave klasike të zeza në Londër, tani kushton 25.80 dollarë, ndërsa më 23 qershor ishte 30 dollarë.
Ndërkohë, dy bileta për “Kinky Boots”, një nga shfaqjet më të bukura teatrale të Londrës, tani kushtojnë 34 dollarë më pak sesa çmimi i periudhës përpara “Brexit”.
Po ashtu edhe restorantet kanë ulur çmimet. Minimalisht një drekë për dy persona kushton 20 dollarë më pak në ditë.
Të gjitha këto kursime mund të futen në portofolin tuaj për të qenë të mjaftueshme për ndonjë shpenzim tjetër qejfi, që më parë nuk e kishit marrë në konsideratë. /TCh