Pushtetarët e Pejës tentojnë ta mbyllin skandalin me racizëm, fajësojnë gazetarët - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Pushtetarët e Pejës tentojnë ta mbyllin skandalin me racizëm, fajësojnë gazetarët

    Insajderi
    20 May 2022 - 12:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në qytetin e Pejës, të martën në “Festën e Abetares” u shpërfaq edhe njëherë racizmi i shoqërisë kosovare. Një grup i nxënësve të pakicave u lanë anash. Deri tani as mësuesja e as drejtori i shkollës “Xhemajl Kada”, nuk janë suspenduar.  Madje për raportimin faji po iu hedhet gazetarëve.

    Drejtori i Komunës së Arsimit në Pejë, Naser Gega po i fajëson gazetarët, tha se nuk e prezantua gjendjen reale.

    Gazetarja ka shfrytëzu një pamje, fotoja që është prezantu është diskriminuese që edhe është reale nuk mundemi me kontestu, sepse shihet ai rrjet i gjatë ta merr mendja që kemi qu të burgosur atje, është dashtë të prezantohet gjendja më reale”, ka thënë ai.

    Gega thotë se DKA vlerëson që nuk ka pasur asnjë lloj diskriminimi.

    “Në bazë të hulumtimeve tona, të DKA-së diskrimin nuk ka pasur tek palestra atje. A janë trajtu mirë nxënësit, janë trajtu kjo është e rëndësishme për mua?”, tha ai.

    Ai bëri me dije se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka urdhëruar Inspektoratin të merret me rastin.

    “Inspektorati i ka hulumtimet e veta të pavarura, do të marrë mendimin zyrtar të tyre sot ata janë të urdhëruar edhe nga Ministria, konkretisht prej ministrisë dhe fjala e tyre është amin për neve”, ka thënë Gega për Insajderin.

    Ky rast ngjalli reagime të shumta. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook ka premtuar se këtë rast do ta shqyrtojnë me prioritet me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Pejës.

    Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të  jetës!”, ka shkruar Nagavci.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka kërkuar nga institucionet që të thirren në përgjegjësi personat përgjegjës.

    Ministri Krasniqi dënon veprimin që u bë ndaj nxënësve të komunitetit pakicë në Pejë

    Si ministër, si qytetar i këtij komuniteti dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, përveçse e dënoj ashpër këtë gjest, ftoj institucionet që të thirren në përgjegjësi personat kompetent, të cilët e kanë bërë këtë gjest të rëndë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

    Mësuesja, Xhylfidane Morina, deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me diskriminim dhe se ishte veç një rastësi. Po ashtu e njëjta tha se kjo ishte dhe dëshirë e nxënësve.

    Ndërkohë drejtori i shkollës mohoi se nxënësit janë ndarë anash, por thotë se janë sistemuar aty pasi nuk i takojnë klasës së parë.

    “Ai komunitet prej 10 nxënës kanë shprehë vullnet me ardhë me pa programin. Ata nuk janë bashkëmoshatarë të klasës së parë. Kanë shpreh vullnet me ardhë me pa programin dhe janë sitemuar aty. Ne jemi ata që çmos jemi duke bërë për komunitetet. Le të vjen veç dikush ta tregon gishtin tek kjo shkollë gabon rëndë. Në çdo mënyrë jemi duke munduar ti integrojmë. Ata fëmijë nuk janë 6-7 vjeçarë, janë diku 8,9 e 10 vjeçarë. Mësuesja i ka marrë dhe i ka sistemuar me lejen time. Janë të klasës së dytë, tretë dhe katërt”, u shpreh ai në Kanal 10.

    Nga Këshilli i Prindërve kanë deklaruar se nuk duhet të tolerohen veprime të tilla teksa kanë kërkuar përgjegjësi institucionale.

    “Pamje të tilla nuk duhen toleruar asnjëherë! Si Këshill i Prindërve të Kosovës i shprehim sinqerisht keqardhjen, por edhe mbështetjen tonë, fëmijëve të diskriminuar, familjeve të tyre dhe gjithë atyre që natyrshëm janë prekur nga një akt i tillë! Kërkimfalja dhe marrja e përgjegjësisë nga institucionet përgjegjëse janë vendim i duhur në këtë rast”, thonë nga Këshilli i Prindërve.

    Është raportuar se në shkollën fillore “Xhemajl Kada” në Pejë kishte klasë të ndara vetëm për nxënësit e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian.

    /GazetaInsajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark